Forcat Ajrore të Ukrainës përdorin iPad për të lëshuar raketat perëndimore
Pilotët ukrainas po përdorin iPad për të lëshuar raketat e sofistikuara perëndimore nga aeroplanët e tyre luftarak të epokës sovjetike.
Në një video të publikuar në YouTube, shihet një pilot i pajisur me iPad teksa fluturon me një aeroplan sovjetik Su-27.
Piloti gjuan raketat amerikane AGM-88 me një shpejtësi të lartë, të njohura si HARMs, raketë kjo ajër-tokë e cila mund të shkatërrojë sistemet e radarëve.
Ky zhvillim i ukrainasve është konfirmuar edhe nga zëvendëssekretari amerikan i mbrojtjes për blerje dhe mbështetje, Dr. William LaPlante, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.
“Ukrainasit kanë shumë aeroplanë të epokës sovjetike. Duke punuar me ta, ne kemi qenë në gjendje t’i dhurojmë shumë armë perëndimore të cilat ata po i përdorin dhe po i kontrollojnë me iPad”, tha LaPlante.
Por, ende nuk është e qartë se si po përdoren tabletët pasi LaPlante nuk dha shumë detaje.
Megjithatë, botimi i specializuar i mbrojtjes, The War Zone, raportoi se luftëtarëve u mungojnë sistemet e të dhënave që lejojnë përputhshmëri me armët perëndimore si HARMs.
E njëjta vlen edhe për armët e tjera të teknologjisë së lartë si bombat Hammer dhe raketat Storm Shadow.
Ndryshe, tabletët thuhet se mund të përdoren edhe për navigim dhe për të shfaqur të dhëna kritike gjatë misioneve.