Forcat iraniane rrëzojnë avionin amerikan
Një avion amerikan vëzhgimi pa pilot është rrëzuar nga forcat iraniane ndërsa fluturonte mbi ngushticën e Hormuzit, një episod ky që vjen në mesin e një përshkallëzimi të tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe republikës islamike.
Rojet revolucionare iraniane thonë se droni kishte shkelur hapësirën ajrore iraniane, ndërsa ushtria amerikane këmbëngul se rrëzimi ka ndodhur mbi ujera ndërkombëtare. Për shefin e shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura iraniane, gjeneral major Hossein Salami, goditja e dronit ishte një mesazh i qartë për Amerikën se kufijtë e Iranit “janë vija e saj e kuqe”. Të hënën, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka njoftuar dërgimin e 1000 trupave shtesë në rajon, si kundërpërgjigje ndaj sjelljes armiqësore të forcave iraniane.
Uashingtoni e akuzoi gjithashtu Iranin se i sulmoi ai dy anijet cisternë në Gjirin e Omanit disa ditë me parë. Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Iranin, Brian Hook, do të udhëtojë shume shpejt në rajonin e Gjirit Persik për të biseduar rreth tensioneve me Iranin me aleatët e Amerikës, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajtin, Omanin dhe Bahrejnin.
Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Teheranit janë ashpërsuar që prej tërheqjes së SHBA-se nga marrëveshja bërthamore dhe rikthimi i sanksioneve ekonomike kundër Regjimit të ajatollaheve.