Forcohen kontrollet kufitare gjermano-austriake
Në të vërtetë kontrolle kufitare në hapësirën Shengen, nuk duhet të ketë. Por mjaft shtete anëtare ose anëtare të BE-së i kanë zgjatur masat e kontrollit në kufi, kundër dëshirës së Komisionit Europian.
Me kontrolle të përbashkëta autoritetet në Austri dhe Gjermani po përforcojnë gjithnjë e më shumë veprimet kundër krimit dhe emigracionit të paligjshëm, raporton DW.
Policia federale austriake dhe ajo gjermane si dhe policia e landit të Bavarisë kanë nisur për herë të parë që nga 1 qershori kontrollet me patrulla treshe në zonën kufitare mes të dy vendeve.
Policia federale austriake dhe ajo gjermane duan të zhvillojnë kontrolle të përbashkëta edhe në vendkalimin kufitar Austri-Itali Brenner/Brenero.
Një bilanc i parë i këtyre aksioneve të përbashkëta do të bëhet pas tre muajsh.
“Sidomos në zonat kufitare është e rëndësishme të koordinohen masat në mbarë vendin”, tha zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë Federale në Mynih, Thomas Borowik, lidhur me fillimin e kontrolleve.
Kufitarët do të kontrollojnë intensivisht sidomos trenat e mallrave. “Në duam t’i parandalojmë në një fazë të hershme hyrjet e rrezikshme ilegale me trena mallrash që të parandalojmë aksidentet”, u shpreh Borowik.
Udhëtarët ilegalë fshihen kryesisht midis rimorkiove ose në rimorkiot e kamionëve që kalojnë Brennerin.