Foreign Policy: Korrigjimi i kufijve padyshim se do të kthehet në tavolinën e dialogut Kosovë-Serbi

18 tetor 2023 | 19:07

Gazeta e njohur amerikane “Foreign Policy” në një artikull të fundit ka shkruar në lidhje me impotencën e Bashkimit Evropian (BE) për t’i zgjidhur problemet në kontinent, duke përfshirë harkun e krizës që shtrihet në pjesën veriore të Kosovës dhe rrjedhën e tensionuar të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve fqinje në Ballkanin Perëndimor – Kosovës dhe Serbisë.

Në pjesën veriore të Kosovës, komunat e banuara me serbë etnikë, janë përpjekur ndër vite të mbajnë një sistem paralel të përkrahur dhe financuar nga Serbia, ndërsa perspektiva e ndarjes apo këmbimit të territoreve po ngrihet herë pas here në debatet publike. Dhe artikulli i prestigjozes amerikane ka veçuar pikërisht këtë pjesë të tensioneve Kosovë-Serbi.

Në artikull thuhet se negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën kujdesin e Bashkimin Evropian (BE) kanë dështuar, ndërsa arsyeja kryesore që dialogu Kosovë-Serbi ka mbetur i bllokuar tash e një kohë është sepse Serbia preferon status quo-në sesa çdo zgjidhje tjetër të propozuar që mund të stopojë korrigjimin e kufijve përgjatë vijave etnike.

“Korrigjimi i kufijve padyshim do të kthehen në tavolinë, dhe megjithëse kjo do të ishte zgjidhja më e drejtpërdrejtë e konfliktit që do ta bënte Kosovën një shtet më koherent politik, pothuajse me siguri do të rezultojë më përçarës sesa status quo-ja në praktikë. Por kjo mund të kërkojë një ndryshim drastik të qasjes”.

Këmbimin e territoreve e kishte spikatur ish-presidenti kosovar, Hashim Thaçi, me idenë fillestare që katër komunat në veriun e Kosovës të banuara me shumicë serbe – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani e Zubin Potoku – do t’i bashkëngjiteshin Serbisë, kurse tri komunat me shumicë shqiptare në Luginën e Preshevës do t’i bashkoheshin Kosovës.

Në artikullin e “Foreign Policy” thuhet se kjo dritare është mbyllur, posaçërisht pas ardhjes në pushtet të liderit të Lëvizjes Vetëvendose (LVV), Albin Kurti, i cili përshkruhet si “nacionalist i përkushtuar” që ka treguar “zero oreks” për të gjetur një zgjidhje kompromisi midis dy shteteve fqinje që kurrsesi të dalin nga situata para-konfliktuale.

“Nuk ka zgjidhje të lehta për problemin Kosovë-Serbi. Korrigjimet e kufijve mbeten rruga më e shpejtë drejt zgjidhjes së konfliktit, por edhe nëse një zgjidhje e tillë do të ishte e arritshme, dritarja e mundësive është mbyllur padyshim tani që Thaçi është zëvendësuar nga një nacionalist i përkushtuar sikur Kurti, i cili ka treguar zero oreks për kompromis qoftë edhe të moderuar”.

Artikulli i prestigjozes amerikane ka trajtuar edhe çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe (ASM), themelimi i së cilit është bërë “detyrë urgjente” dhe “hap ekzistencial” për aspiratat euro-atlantike të Kosovës. Aty thuhet se Kosovës duhet t’i paraqitet një ultimatum: Themelojeni ASM-në nëse keni ambicie serioze për t’u bërë një shtet plotësisht i pavarur.

“E vërteta e pavolitshme për Kurtin është se ëndrra e Kosovës për shtet ekonomikisht të qëndrueshëm dhe njohje nga Kombet e Bashkuara përfundon në momentin që Brukseli ose Uashingtoni vendosin të fikin mbështetje jetike”, ka shkruar ndër të tjera gazeta e njohur amerikane, ndërsa ka shtuar se BE-ja është mënjanuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Kjo duhet të shqetësojë BE-në për një sërë arsyesh. Së pari, nuk duket se ka shumë kontroll mbi ngjarjet në oborrin e saj. Së dyti, zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA po afrohen me shpejtësi dhe Brukseli mund të përfundojë duke e gjetur veten plotësisht të mënjanuar në rajon nëse republikanët përfundojnë duke rimarrë Shtëpinë e Bardhë”. Albanianpost.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Para dy muajve aktorja e vetme shqiptare në Luginën e…