Formacioni i javës në Ligën e Kampionëve

20 shtator 2018 | 16:46

Liga e Kampionëve ka rinisur, si gjithmonë me gola, spektakël, lojë të bukur e ndonjë polemikë.

ESPN ka përzgjedhur formacionin më të mirë pas ndeshjeve të para, luajtur këtë mesjavë, duke përfshirë dy lojtarë nga Juventus-i, i vetmi ekip me dy lojtarë në formacionin e javës.

PORTIER: Wojciech Szczesny (Juventus)

Me 10 lojtarë për një orë, pas një kartoni të kuq të çuditshëm dhënë Ronaldos, Juve arriti një fitore të shkëlqyer në Valencia, duke mos e ndjerë inferiorë as me një lojtar më pak. Vendimtar portieri Szczesny, pasuesi i legjendarit Buffon, sepse afër fundit të ndeshjes polaku i priti një 11-metërsh Daniel Parejos, duke evituar një fund takimi dramatik.

MBROJTËS I DJATHTË:  Trent Alexander-Arnold (Liverpool)

Alexander-Arnold është vetëm 19-vjeç dhe këtë mesjavë pati përballë Neymarin. Ndryshe nga sa pritej, në “Anfield” shkëlqeu vetëm djaloshi zbulim i Liverpoolit, i cili po bind gjithnjë e më shumë, edhe pse ndoshta në të ardhmen do të ketë përballë rivalë më të rrezikshëm se Neymari i fjetur.

QENDËRMBROJTËS: Milos Degenek (Crvena Zvezda)

Australiani Degenek ka qenë një zbulim i madh që kur është transferuar te gjiganti serb, klubi i tij i zemrës në fëmijëri. Crvena Zvezda ndali te barazimi pa gola Napoli-n e frikshëm dhe mbrojtja u tregua perfekte, me Degenek një lider të vërtetë.

QENDËRMBROJTËS: Leonardo Bonucci (Juventus)

Kthim në ngjyrat bardhezi, kthim në maksimumin e vet. Bonucci është në shtëpinë e vet te Juventusi dhe është mësuar të fitojë edhe me vuajtje, si ndodhi në Valencia. Me 10 lojtarë për një orë, Juve kishte nevojë për perfeksion në prapavijë dhe të gjithë shkëlqyer, por Bonucci fitoi edhe një 11-metërsh.

MBROJTËS I MAJTË: Nicolas Tagliafico (Ajax)

 

Dy gola në debutim në Ligën e Kampionëve, kush e bën këtë gjë? Sulmuesit ndoshta e bëjnë, por kur një mbrojtës si Tagliafico ia del mbanë, do të thotë që është një lojtar niveli, që meriton vëmendje. Argjentina vazhdon të prodhojë lojtarë cilësorë, edhe pse nuk i bën dot bashkë për të fituar si kombëtare.

MESFUSHOR QENDROR: Paul Pogba (Manchester United)

Sikur të luante më shpesh ashtu si bëri në Zvicër, Paul Pogba do të fshinte çdo dyshim rreth sjelljes së tij dhe temperamentit. Ai u tregua madhështor në fitoren ndaj Young Boys, duke dominuar në mesin e fundit dhe duke qenë vendimtar edhe me golat e shënuar.

MESFUSHOR QENDROR: Renato Sanches (Bayern Munich)

Renato Sanches qenka gjallë. Misioni i Bayernit është ta rikthejë në majën e botës dhe duket se trajneri Nio Kovaq pak nga pak po ia del të zgjojë një “bishë” të përgjumur. Sanches shkëlqeu në Lisbonë, shënoi një gol dhe e duartrokiti gjithë stadiumi.

MESFUSHOR OFENSIV: Nabil Fekir (Lyon)

Lyoni fitoi dhe shkëlqeu në “Etihad”, duke mos vjedhur asgjë ndaj Manchester Cityt. Kapiteni Fekir ishte fantastik dhe u pa qartë pse Liverpool-i në verë bëri gjithçka për ta blerë, pa ia dalë mbanë. Ndoshta Fekir kishte motivim shtesë, për të treguar sa vlen në sytë e Anglisë. Ia doli mbanë.

SULMUES I DJATHTË: Lionel Messi (Barcelona)

Sezon i ri, Messi i zakonshëm. Ylli argjentinas dhuroi spektakël ndaj PSV-së, shënoi një gol fantastik me goditje dënimi dhe shtoi edhe dy gola të tjerë. Një ditë e zakonshme pune për “Pleshtin”!.

SULMUES I MAJTË: Gareth Bale (Real Madrid)

Në verë iku Cristiano Ronaldo, por duket se lotët për portugezin janë tharë me kohë. Një nga arsyet quhet Gareth Bale, sepse uellsiani ka rilindur tani që është hapur rruga për të në sulm. Uellsiani ka shënuar 5 gola në 7 ndeshje këtë sezon dhe po kthehet pak nga pak në lojtarin që mund të jetë vendimtar për një sezon të madh të kampionëve të Evropës.

SULMUES QENDRE: Mauro Icardi (Inter)

Icardi është sulmues i cili duhet të japë më të mirën e vet në nivele të tilla, për të treguar se është vërtet sulmues klasi, dhe që në rastin e parë nuk dështoi. Inter-i po paraqitej dobët ndaj Tottenhamit, derisa argjentinasi shënoi një supergol që ndryshoi inercinë e ndeshjes dhe çoi te një fund takimi i çmendur, me zikaltrit që e mbyllën me fitore. /Telesport/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Prishtinë, Natalyia…