Formacioni i mundshëm i Shqipërisë ndaj Ishujve Faroe
Pas arritjes së kualifikimit në Moldavi, natyrisht që ndeshja e mbrëmjes së sotme ndaj Ishujve Faroe në orën 20:45 në “Air Albania” do të kthehet në festë.
Padyshim që objektiv do të jetë mbyllja e grupit në vendin e parë në një fushatë kualifikuese, renditje që Shqipëria nuk e ka arritur ndonjëherë në historinë e saj, madje në kualifikimin e 2016-ës, kuqezinjtë u renditën të dytët në grup me 14 pikë në total.
Për të arritur një gjë të tillë, Shqipërisë i mjafton një pikë ndaj ishullorëve dhe përveç kësaj, do të thyente edhe rekordin e pikëve në një fushatë kualifikuese të Evropianit.
Duke pasur parasysh faktin se përballë është një rival modest, ashtu siç u tha edhe në konferencë për shtyp, trajneri Silvinjo është i prirur të bëjë disa ndryshime.
Plot 6 pritet të jetë numri i ndryshimeve të bëra nga Silvinjo, në krahasim me sfidën e fundit.
Në mesin e shtyllave pritet të luajë Strakosha, ndërsa përpara tij do jenë të vendosur Mitaj, Balliu, Ismajli dhe Gjimshiti. Mesfusha përbëhet nga Ramadani dhe Bare.
Mirlind Daku do ketë mbështetjen e Uzunit dhe Asanit nga krahët, ndërsa Muçi prapa shpinës së tij.
Pra, Strakosha, Balliu, Bare, Muçi, Uzuni dhe Daku, pritet të jenë 6 futbollistët e rinj që mund ta nisin nga minuta e parë duelin ndaj Ishujve Faroe, që do të jetë dhe i fundit në grupe.