Formalizohet aplikacioni i parë 30 milionësh për investime strategjike në fushën e minierave
Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, ka pranuar aplikacionin e parë të investitorëve strategjik në fushën e minierave.
Konsorciumi i përbërë nga Moxico Resources (Angli), Pluto Investment AG (Zvicër) dhe Luma Investment SA (Poloni), kanë dorëzuar te zëvendëskryeministri dhe ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, aplikacionin për statusin e investitorit strategjik.
Në një takim të mbajtur në zyrat e Ministrisë së Diasporës, përfaqësuesit e këtij konsorciumi i cili ka mbi 20 mijë punëtorë në operacionet e saj në botë, u shprehën të kënaqur me përkrahjen e ofruar si nga MDIS , MTI ashtu edhe KIESA.
Nga ana tjetër, ministri Gashi u zotua se kjo përkrahje do të vazhdojë edhe në fazat vijuese.
“Ne, bazuar në zotimet tona si institucione, do të jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmë të pa-rezervë për përshpejtimin dhe thjeshtimin e procedurave administrative, dhe teknikaliteteve të tjera të nevojshme, ashtu që ky projekt i cili ka vlerën mbi 30 milionë EUR të fillojë sa më shpejt”, ka thënë ministri Gashi.
Konsorciumi Britanik-Zviceran-Polak është përqendruar në zhvillimin e biznesit në sektorin e minierave, respektivisht në 3 zonat me interes kombëtar në Komunën e Mitrovicës dhe Vushtrrisë, përkatësisht në Karaçë, Vllahi dhe Gumnishtë.
Ky projekt jo vetëm se do të zhvillojë sektorin minerar të Kosovës por do të nxisë edhe zhvillimin lokal dhe të komunitetit në këto zona.
/Epoka e re/