Formimi i institucioneve pas zgjedhjeve, detyrimi për veprim, afatet dhe pamundësia e bllokimit

13 shkurt 2025 | 11:42

Shkruan: Ardian Bajraktari

Referuar Kushtetutës, përkatësisht nenit 66, ndër të tjera theksohet se seanca konstituive mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve. Po ashtu, në lidhje me seancën konstituive, përcaktohet se Presidenti i Republikës së Kosovës e thërret seancën e parë të Kuvendit. Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e Presidentit.

Në rrjedhë të kësaj dhe në pajtim me Rregulloren e Kuvendit, akt i cili ka bazë në Kushtetutë (neni 76), e cila parasheh se Kryetari i Kuvendit zgjidhet në seancën konstituive, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, i cili propozohet nga subjekti politik më i madh në Kuvend. Seanca konstituive përfundon me zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë.

Siç dihet, sa i përket pozicionit të nënkryetarit/ve, nga një i tillë ju takon komuniteteve jo shumicë, një komunitetit serb i cili propozohet nga shumica e deputetëve të këtij komuniteti, si dhe nënkryetar nga radhët e deputetëve të komuniteteve të tjera që nuk janë shumicë, i cili propozohet nga shumica e deputetëve të komuniteteve të tjera që nuk janë shumicë.

Është e rëndësishme të theksohet se në rast të mos propozimit të kandidatëve nga radhët e komuniteteve, propozimi i kandidatëve bëhet me short, në prani të deputetëve të komuniteteve përkatëse. Kjo procedurë administrohet nga Kryetari i Kuvendit.

Pra, sa i perkat seancës konstituive, Kushtetuta është e qartë, në drejtim të ndërmarrjes së veprimeve për konstituim dhe së bashku me rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, parashohim mjaftueshëm dispozita të cilat ofrojnë zgjidhje dhe pamundësi bllokimi të kësaj seance.

Formimi i Qeverisë

Lidhur me çështjen e formimit të Qeverisë, duke iu referuar Kushtetutës dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, veçmas Aktgjykimi nr. KO72/20, i vitit 2020, është sqaruar mjaftueshëm kjo rrethanë.

Sipas këtij Aktgjykimi, sqarohet se për formimin e Qeverisë, Kushtetuta përcakton dy mundësi.

E drejta e parë për formimin e Qeverisë, i takon “partisë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë”, përkatësisht partisë politike ose koalicionit fitues të zgjedhjeve. Në këtë rast Presidenti nuk ka diskrecion lidhur me të drejtën e kësaj partie politike ose koalicioni për të propozuar kandidatin për Kryeministër dhe vetëm e mandaton të njëjtin. Mandatari, është i obliguar që brenda pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, të paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Në rast të dështimit të zgjedhjes së Qeverie në Kuvend, për herë të parë, apo refuzimit të këtij mandati nga partia politike ose koalicioni fitues, e drejta për formimin e Qeverisë, kalon te partia politike ose koalicioni i përfaqësuar në Kuvend, e që është në diskrecionin e Presidentit/es që brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër, i cili ka gjasat më të mëdha për të formuar Qeverinë në mënyrë që të shmangen zgjedhjet. Në rast të dështimit të këtyre dy mundësive, Presidenti/ja duhet t’i shpallë zgjedhjet.

Po ashtu vlen të ceket se Aktgjykimi sqaron se e drejta për të propozuar mandatarin për Kryeministër është edhe përgjegjësi dhe privilegj, dhe se propozimi i këtij emri, ngërthen në vetvete pikën më të lartë të suksesit të një partie politike ose koalicioni brenda një cikli zgjedhor.

Ndonëse e drejta e parë për të propozuar kandidatin për Kryeministër i është garantuar partisë ose koalicionit fitues të zgjedhjeve përmes Kushtetutës, megjithatë, ushtrimi i kësaj të drejte, nuk ia jep autorizimin edhe për të bllokuar formimin e një Qeverie brenda një cikli zgjedhor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lionel Messi është aty. Në ndeshjen e parë të fazës…