![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/04/abdixhiku.jpg)
Formimi i Komisionit Hetimor për krizën energjetike, Abdixhiku: Pushteti po ka frikë
Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se mazhoranca parlamentare sot refuzoi formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për krizën energjetike, duke theksuar se kjo ishte një kërkesë legjitime e opozitës për zbardhjen e së vërtetës mbi shpenzimin e 100 milionë eurove subvencione e shtrenjtimit të faturave energjetike deri në 100%.
Ai ka thënë se pjesë e hetimit do të ishin edhe punësimet nepotike në KEK.
“Ky refuzim hetimi, është shenjë frike e pushtetit rreth së vërtetës që megjithatë do të zbardhet herët apo vonë. Sa më i fortë refuzimi, aq më i domosdoshëm bëhet hetimi. Dhe sa më i domosdoshëm hetimi, aq më e drejtë bëhet kërkesa jonë për të. Sjella e mazhorancës, si tregues i arrogancës së numrave që parandalon ushtrimin e detyrimeve kushtetuese të Parlamentit mbi Qeverinë, është praktikë kundërkushtetuese. E njëjta s’mund të vazhdojë”, ka shkruar Abdixhiku në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka theksuar se LDK-ja ka qenë konstruktive në secilën nismë.
“Kemi qenë mbështetës në secilin interes. Kjo sjellje e jonë duket se është marrë si e mirëqenë. Sot, s’ka interes tjetër më madhor se sa hetimi i shtrenjtimit enorm të faturave që prekin secilën shtëpi e familje në Kosovë – e zbardhja e fatit të qindra milionave të shpërndara si subvencion. Kushdo që frigohet nga ky hetim, ka se çfarë të tregojë”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka pohuar se pa themelimin e këtij Komisionit Hetimor në Kuvend, pa gjetjen e së vërtetës rreth krizës energjetike në Kosovë – asnjë nismë tjetër parlamentare nuk do të merr mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës.