Formimi i ushtrisë po vonohet
Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati, ka paralajmëruar institucionet e Kosovës se po vonohen me formimin e ushtrisë.
Ai i ka bërë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit që sa më shpejt me anë të ligjit t’i ndryshohet mandati FSK-së meqenëse themelimi i Forcave të Armatosura me anë të ndryshimeve kushtetuese po shihet si rrugë e pamundur. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se formimi i ushtrisë është çështje e brendshëm e Kosovës dhe këtë të drejtë nuk mund t’ia mohojë askush. “Jam shumë i bindur se dita-ditës Kosova po vonohet shumë në formimin e ushtrisë. Kam thënë edhe më herët dhe po e përsëris prapë, se Qeveria, së bashku me Kuvendin e Kosovës, duhet të ecin tutje në këtë drejtim dhe të mos vonohen më. Me marrëveshje me partnerët tanë strategjikë, institucionet tona duhet të fillojnë që me anë të ligjit FSK-së t’ia ndryshojnë mandatin dhe të vazhdohet tutje me këtë proces”, ka thënë Kastrati.
Ai ka treguar se sa po humbet Kosova me vonesat në formimin e ushtrisë. “Kosova po humbet me këto vonesa, sepse për ta bërë një ushtri operacionale duhen rreth 10 vjet kohë. Pra, ushtria nuk mund të bëhet brenda një kohe të shkurtër. Prandaj po them që sa më herët të fillohet të veprohet në këtë drejtim është më mirë. Në këtë drejtim Kosova po humbet në aspektin e sigurisë, në aspektin e integrimit në NATO, si dhe në aspektin e integrimeve rajonale dhe anëtarësimin në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë”, ka thënë Kastrati.
Ish-komandanti i FSK-së ka vlerësuar se Kosova nuk ka asnjë arsye të vonohet në këtë drejtim.
Sipas tij, institucionet e Kosovës këtë vit duhet të marrin vendim për ndryshimin e mandatit të FSK-së.
“Epoka e re”: Z. Kastrati, me gjithë paralajmërimet e shumta të Qeverisë, se do të procedojë transformimin e FSK-së, ende nuk është marrë ndonjë veprim. A po vonohen institucionet e Kosovës në formimin e ushtrisë?
Kastrati: Jam shumë i bindur se dita-ditës Kosova po vonohet shumë në formimin e ushtrisë. Kam thënë edhe më herët dhe po e përsëris prapë se Qeveria, së bashku me Kuvendin e Kosovës, duhet të ecin tutje në këtë drejtim dhe të mos vonohen më. Me marrëveshje me partnerët tanë strategjikë, institucionet tona duhet të fillojnë që me anë të Ligjit FSK-së t’ia ndryshojnë mandatin dhe të vazhdohet tutje me këtë proces.
“Epoka e re”: Sa po humbet Kosova me këto vonesa?
Kastrati: Natyrisht se Kosova po humbet me këto vonesa, sepse për ta bërë një ushtri operacionale duhen rreth 10 vjet kohë. Pra, ushtria nuk mund të bëhet brenda një kohe të shkurtër. Prandaj po them që sa më herët të fillohet të veprohet në këtë drejtim është më mirë. Në këtë drejtim Kosova po humbet në aspektin e sigurisë, në aspektin e integrimit në NATO, si dhe në aspektin e integrimeve rajonale dhe anëtarësimin në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë.
Unë nuk po shoh ndonjë arsye pse po shtyhet kaq shumë ky proces kur vazhdimisht po shihen qëndrimet e përfaqësuesve serbë të Kosovës se ata nuk do ta përkrahin formimin e ushtrisë së Kosovës. Duke u nisur nga këto deklarime, ne duhet t’ia bëjmë të qartë faktorit ndërkombëtar dhe partnerëve tanë strategjikë, se Kosova nuk mund t’i presë deri në pafundësi përfaqësuesit e komunitetit serb, sepse formimi i ushtrisë është nevojë e Kosovës. Edhe partnerët tanë duhet ta kuptojnë se ne si shtet i pavarur dhe sovran e kemi të drejtën që ta kemi ushtrinë tonë, kjo është çështje e brendshme e Kosovës dhe këtu askujt nuk duhet t’i mbetet hatri. E rëndësishme është se ushtria e Kosovës të jetë shumetnike, në të cilin janë të përfaqësuara të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Në FSK asnjë komunitet nuk është i diskriminuar, përkundrazi ka diskriminim pozitiv dhe në këtë mënyrë nuk shoh ndonjë arsye pse Kosova duhet të vonohet edhe më tutje për formimin e ushtrisë.
“Epoka e re”: Meqenëse formimi i ushtrisë përmes ndryshimeve kushtetuese po duket i pamundur, si duhet të veprojë Qeveria e Kosovës?
Kastrati: Edhe unë pajtohem se transformimi i FSK-së me anë të ndryshimeve kushtetuese, sikur po dëshirojmë të gjithë tani për tani, është i pamundur. Përfaqësuesit e komunitetit serb për arsye politike, të ndikuar nga Beogradi, nuk do t’i votojnë ndryshimet e nevojshme kushtetuese për formimin e ushtrisë. Prandaj, Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera duhet t’i paralajmërojnë partnerët tanë se Kosova do ta ndjekë rrugën ligjore për ndryshimin e mandatit të FSK-së, duke ia dhënë mundësinë që FSK-ja t’i zhvillojë kapacitetet e veta ushtarake dhe të jetë e gatshme brenda një kohe të caktuar t’i kryejë obligimet që i ka në bazë të ligjeve dhe sipas nevojave që ka Kosova në aspektin e sigurisë.
“Epoka e re”: Mirëpo partnerët strategjikë të Kosovës dhe FSK-së kanë bërë me dije se e vetmja rrugë e pranueshme për transformimin e kësaj force është ajo përmes ndryshimeve kushtetuese. Veprimet e njëanshme në këtë drejtim sa do t’i rrezikonin raportet e FSK-së me partnerët e saj?
Kastrati: Natyrisht se ata e kanë këtë qëndrim për shkak të serbëve që jetojnë në Kosovë. Mirëpo, unë mendoj se raportet e Kosovës dhe FSK-së me partnerët e saj nuk do të prishen edhe nëse shkohet në drejtim të formimit të ushtrisë me anë të ligjit. Kosova duhet t’i përmbushë nevojat e veta kombëtare në aspektin e sigurisë.
“Epoka e re”: Brenda çfarë kohe mendoni se Kosova duhet të veprojë në këtë drejtim?
Kastrati: Institucionet tona do të duhej të caktojnë një datë se kur do të veprohet në këtë drejtim. Mendoj se këtë vit Kosova duhet të marrë vendim për t’ia ndryshuar mandatin FSK-së me anë të ligjit ashtu siç është paralajmëruar. Zgjidhje tjetër nuk ka. Ndërsa formimi i ushtrisë është shumë i nevojshëm dhe Kosova e ka këtë të drejtë, të cilën nuk mund t’ia mohojë askush. Ne jemi shtet i pavarur dhe kjo është çështje e brendshme e jona. Këtë duhet t’ua bëjmë të qartë edhe miqve ndërkombëtarë dhe nuk kemi çfarë të vonohemi më në këtë drejtim. Siç dihet, vetë dizajnimi i ushtrisë së Kosovës ka qenë në atë mënyrë që të jetë forcë mbrojtëse, e cila nuk do ta rrezikojë askënd. Po ashtu, është paraparë të jetë një forcë e cila do të kontribuojë për paqen në rajon edhe në aspektin global.
“Epoka e re”: Është përmendur edhe mundësia e kompromisit me përfaqësuesit serbë të Kosovës për formimin e ushtrisë. Duhet të pranohen kompromiset e përmendura në mënyrë që ta kemi ushtrinë me anë të ndryshimeve kushtetuese?
Kastrati: Së pari, ushtria e Kosovës duhet të shtrihet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Po ashtu, ushtria nuk mund të ketë njësite një-etnike, sepse ato janë shumë të rrezikshme. Ndërsa çështja e zëvendëskomandantit nuk është problem. Ai mund të jetë serb, boshnjak, turk, apo i ndonjë komiteti tjetër, varësisht se si pjesëtarët e komuniteteve zhvillohen në karrierë brenda FSK-së. Sa kam qenë komandant i FSK-së, tre serbë e patën përfunduar akademinë ushtarake në Maqedoni dhe ata, në bazë të zhvillimit të karrierës së tyre profesionale, mund të avancohen në karrierë dhe brenda disa vjetëve mund ta kenë gradën e duhur për t’u bërë zëvendëskomandantë. Nuk do të ishte kurrfarë pengese që zëvendëskomandanti të jetë nga komuniteti serb, por kjo nuk duhet të jetë e rezervuar gjithë kohën vetëm për serbët, sepse ne kemi edhe komunitete të tjera të cilët do të mund ta kërkojnë atë pozitë. Në të gjitha ushtritë e botës, edhe nesër në ushtrinë e Kosovës, zhvillimi i karrierës bëhet sipas ligjeve dhe standardeve që janë të përcaktuara. Nëse një serb arrin gradën e duhur për t’u bërë zëvendëskomandant, atëherë pse të mos jetë në atë pozitë. Mirëpo në atë pozitë nuk duhet të vijë dikush nga jashtë FSK-së, sepse uniformën nuk mund ta vesh dikush që vjen prej rrugës dhe bëhet zëvendëskomandant. Pra, atë pozitë duhet ta marrë dikush nga serbët që është brenda FSK-së dhe që i plotëson kushtet e kërkuara për atë pozitë.
Muhamet KOCI