Formohet grupi punues për institucionet me fitim milionësh që nuk paguajnë tatim

08 maj 2018 | 16:20

Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës ka mbajtur të martën takim me drejtuesit e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Doganës dhe të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), në kuadër të procesit të monitorimit të realizimit të planit të të hyrave për tremujorin e parë të vitit 2018.

Ky takim është përcjell me kritika të shumta ndaj Bankës Qendrore të Kosovës dhe Ministrisë së Financave sa i përket projektligjit për institucionet mikrofinanciare dhe për institucionet financiare jobankare.

Deputetët kanë kërkuar që institucionet mikrofinanciare që veprojnë si OJQ të mos veprojnë më në këtë mënyrë, për shkak se nga paslufta kanë përfituar me miliona euro, japin kredi me norma të interesit deri në 31 për qind dhe nuk kontribuojnë në donacione, si dhe thellojnë edhe më shumë varfërinë.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i ka quajtur OJQ-të institucione që veprojnë edhe me fajde.

Po ashtu, ajo pati edhe kritika ndaj drejtorëve të këtyre institucioneve që paguhen nga 10 mijë euro deri në 20 mijë euro në muaj.

Deputetja Bajrami ka thënë se përfundimisht statusi i institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve jobankare duhet të ndryshojë për këto institucione fitimprurëse që nuk i paguajnë tatim shtetit që 15 vjet.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, ka thënë se qëllimi i këtij projektligji është për një sistem stabil financiar.

Ai ka deklaruar se BQK-ja adreson qartë kriteret për licencimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve financiare jobankare. “Objektivat me këtë projektligj janë përshtatja e legjislacionit me atë të BE-së dhe vetëdijesimi i këtyre institucioneve për veprimtarinë e tyre. Për asnjë transformim nuk bëhet fjalë me këtë projektligj. Ky ligj i rregullon të gjitha institucionet mikrofinanciare që janë të regjistruar në MTI dhe nuk i rregullon ato mikrofinanciare si OJQ të regjistruara në MAP”, ka thënë Mehmeti.

Safete Hadërgjonaj nga PDK-ja, ka thënë se është shqetësuese me astete  prej 121 milionë euro, OJQ-të mikrofinanciare të aplikojnë norma mbi 24 për qind dhe të mos i paguajnë asnjë cent shtetit.

Për këtë ajo kërkoi rregullimin me ligj për këto institucione. Kryetari i Komisionit Lumir Abdixhiku ka thënë se për këtë çështje duhet të krijohet një Grup punues dhe të shihen të metat e këtij projektligji, që sipas tij, janë të mëdha.

 

(A.MAVRAJ)
/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, ka…