Formohet këshilli organizativ për manifestimin e Epopesë së UÇK-së

09 shkurt 2022 | 15:52

Qeveria e Kosovës ka themeluar të mërkurën Këshillin Organizativ për manifestimin gjithëpopullor për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që do të mbahet nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

“Duke vlerësuar se Epopeja e UÇK-së e ndryshoi historinë e Kosovës për mbarë dhe e bashkoi popullin tonë, duhet të kujtojmë ditët 5, 6 dhe 7 mars, sakrificën e familjes Jashari dhe qëndresën e tyre”, ka thënë kryeministri Kurti. Duke propozuar këtë këshill, kryeministri ka thënë se gjithçka që “bëjmë e veprojmë, çdo progres i yni duket pak, krahas gjithçkaje, që ata dhanë”.

“Duke iu falënderuar atyre, dëshmorëve e martirëve, jemi edhe ne sot këtu. Kujtimi për ta na bën të vetëdijshëm, që ata nuk harrohen, që ne duhet të qëndrojmë, të mos dorëzohemi e ta ndërtojmë Republikën, që ua kemi borxh”, ka thënë Kurti, raporton “Epoka e re”.

Këshilli Organizativ ka këtë përbërje: Armend Mehaj, ministër i Mbrojtjes – Kryesues; Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës – anëtare;
Fadil Nura, kryetar i Komunës së Skenderajt – anëtar; Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë – anëtare; Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit – anëtar; Xhelal Sfeçla, ministër i Punëve të Brendshme – anëtar; Bashkim Jashari, komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës – anëtar; Bislim Zogaj, drejtor i Agjencisë për menaxhimin e komplekseve memoriale të Kosovës – anëtar.

Gjithashtu nga një anëtar në këtë këshill do ta ketë Zyra e Presidentes, Kuvendi i Kosovës, Komuna e Prishtinës, Organizatat e Dala nga Lufta e UÇK-së, Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe organizatat e shoqërisë civile.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një pikë e re e vaksinimit kundër COVID-19 do të…