Formohet koalicioni me 11 shtete për trajnimin e pilotëve ukrainas të avionëve luftarak F-16
Një koalicion prej 11 kombesh do të fillojë trajnimin e pilotëve ukrainas për të fluturuar me avionë luftarakë F-16 në gusht në Danimarkë dhe një qendër trajnimi do të ngrihet në Rumani, thanë zyrtarët të martën në margjinat e një samiti të NATO-s në Lituani.
Lajmi u bë i ditur nga agjencitë “Reuters” dhe “AFP”.
Anëtarët e NATO-s, Danimarka dhe Holanda kanë udhëhequr përpjekjet ndërkombëtare për të trajnuar pilotët, si dhe stafin mbështetës, mirëmbajtjen e avionëve dhe përfundimisht mundësojnë furnizimin e Ukrainës me F-16 në luftën e saj me Rusinë.
“Shpresojmë se do të jemi në gjendje të shohim rezultate në fillim të vitit të ardhshëm”, u tha gazetarëve ministri në detyrë i mbrojtjes i Danimarkës Troels Lund Poulsen pas një ceremonie nënshkrimi.
Deri më tani, asnjë vend nuk është zotuar të dërgojë F-16 në Ukrainë, megjithëse Polonia dhe Sllovakia kanë furnizuar 27 MiG-29 për të plotësuar flotën e avionëve luftarakë të Ukrainës.
Kievi, i cili ka nisur një kundërofensivë kundër forcave ruse, ka kërkuar vazhdimisht që vendet perëndimore të furnizojnë avionë dhe të trajnojnë pilotët e tij për t’i drejtuar ato, për të kundërshtuar me sukses dominimin ajror të Moskës.
Në samitin, që do të përfundojë të mërkurën, krerët e NATO-s ranë dakord se e ardhmja e Ukrainës qëndron brenda aleancës, por nuk i dhanë Kiev-it ftesën ose kohën për pranim që vendi ka kërkuar.