Formohet Qeveria e re në Maqedoninë e Veriut me kryeministër Mickoskin
Me 77 vota për, të dielën e 23 qershorit, është votuar Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut.
Me këtë votim Hristijan Mickoski nga partia VMRO-DPMNE është emëruar si kryeministri i 13-të i Maqedonisë së Veriut.
Qeveria e 20-të që nga pavarësia e vendit u formua nga VMRO-DPMNE me partnerë – koalicionin VLEN dhe partinë ZNAM.
Qeveria e re do të ketë 4 ministri më shumë se ajo e mëparshmja.
Qeveria e Mickoskit do të ketë 5 zëvendëskryeministra.
VMRO-DPMNE do të udhëheqë me 15 ministri.
6 ministri janë të VLEN-it dhe 2 të ZNAM-it.
Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut u krijua pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit, në të cilat në kampin maqedonas fitoi bindshëm VMRO, me plotë 58 deputetë, ndërsa te shqiptarët fitore korri “Fronti Evropian”, me 18 mandate, apo 4 më shumë se “VLEN”-i.
Por, përkundër kësaj, VMRO-ja ka përzgjedhur “VLEN”-in që të bëjë koalicion, duke anashkaluar kështu parimin fituesi me fituesin (te shqiptarët dhe te maqedonasit).
Ndërsa Fronti Evropian është larguar sonte nga seanca parlamentare ku po debatohet për zgjedhjen e qeverisë së re. Blerim Bejeti, koordinator i grupit parlamentar, tha se nuk do të votojnë për qeverinë e re sepse “nuk ka legjitimitet nga komunitetet etnike”.