Formula 1 ka nevojë për Mick Schumacherin
E ardhmja e Mick Schumacher, djalit të shtatë herë kampionit të botës, Michael Schumacher, është në Formula 1.
I këtij mendimi është Chase Carey, presidenti i Liberty Media dhe pronarit të garave të automobilizmit, që kërkon që piloti 19-vjeçar të garojë sa më shpejt në pistat e Formulës 1. “Prania e tij do të ishte speciale për sportin tonë, do të ishte një tjetër histori e bukur për t’u përjetuar dhe treguar”, ka thënë Carey, që shpreson se emri Schumacher të nxjerrë nga kriza këtë sport.
Mick Schumacher fitoi garën e parë sezonale në Formula 2, në pistën e Spa, në Belgjikë dhe kohët e fundit është përfolur shpesh për kalimin në Formula 1. Aty ku do t’i ndiqte gjurmët e babait të tij, që mban ende rekordin e 91 fitoreve në këtë sport. Ndërkohë që, Michael vazhdon ende të jetë në periudhë rehabilitimi pas aksidentit me ski katër vjet më parë.
“Michael ka qenë dhe mbetet një personazh unik në Formula 1, do të jetë gjithnjë ikonë e këtij sporti. Prania e djalit të tij, Mick, do të ishte e rëndësishme për fansat, pasi do ta kenë pranë djalin e idhullit të tyre. Ka ardhur koha ta lehtësojmë mundësinë e afrimit të pilotëve të rinj në Formula 1”, ka deklaruar Chase Carey, duke hapur “dritën jeshile” për ardhjen e Mick Schumacherit në garat e automobilizmit.