Formula 1 ndryshon kalendarin 2021, sezoni nis më 28 mars në Bahrein
Pandemia Covid-19 ka bërë që sezoni 2021 në Formula 1 t’i pësojë ndryshimet e para në kalendarin e garave.
Përmes një komunikimi në rrjetet sociale, Liberty Media ka bërë me dije se Botërori 2021 do të nisë më 28 mars, në Bahrein. Pra, starti i sezonit nuk do të jetë në Australi, por në Bahrein, ku pas një muaji do të zhvillohen edhe testet dimërore. Gara e Australisë është shtyrë për më 21 nëntor.
Rikthehet në kalendar gara e Imola (Itali), që do të zhvillohet më 18 prill, datë që ishte lënë bosh në kalendarin e mëparshëm. Në dyshim është ende gara e Kinës që, sipas Liberty Media, është ende në bisedime me organizatorët për ta shtyrë në gjysmën e dytë të vitit.
Në rast se në Kinë nuk do të zhvillohet gara, me shumë gjasa ajo do të zhvendoset në pistën portugeze të Portimao.