Formula 1 rikthehet në Madrid
Tashmë gjithçka është zyrtare, kampionati automobilistik, Formula 1 do të bëjë rikthimin e madh, në Madrid, duke filluara nga viti 2026-të, me marrëveshjen, që po përgatitet prej disa muajsh dhe tashmë është një realitet, që garanton të ardhmen e një “Grand Prix”, spanjoll, për të paktën 1 dekadë, në një pistë gjysmë-urgane.
Presidenti dhe CEO i Formula 1, Stefano Domenicali, ishte në Parkun e Ekspozitave “Ifema”, mëngjesin e kësaj të marte për të prezantuar pistën e re, që do të mirëpresë kampionatin botëror të Formula 1, duke filluar nga viti 2026, me prezantimin, që u bë në prani të Presidentit të “Ifema”, Jose Vicente de los Mozos, guvernatores të Madridit, Isabel Diaz Ayuso dhe kryebashkiakut Jose Luis Martinez Almeida, të cilët shpjeguan detajet e eventit.
Sipas raportimeve më të fundit nga mediet spanjolle, gara do të zhvillohet në një pistë urbane pjesërisht të mbuluar në zonën Valdebebas, pranë aeroportit të Barajas, në afërsi të qendrës stërvitore të “Galaktikëve”, të Real Madrid, e përsa i përket kontratës do të arrihet një marrëveshje fillimisht 10-vjeçare, nga e cila pritet që kryeqyteti “iberik”, të përfitojë 400 milionë euro në sezon.