Formula 1 zbarkon në Vietnam
Vietnami kërkon të organizojë një garë të Formulës 1, madje ka vendosur si afat vitin 2020 për ta zhvilluar garën e parë. Lajmin e ka konfirmuar nëpërmjet revistës së njohur “Autosport” drejtori i garave të Formulës 1, Charlie Whiting.
Marrëveshja mes Qeverisë së Vietnamit dhe pronarëve të Formulës 1 mund të vijë që në nëntor të këtij viti, pas përfundimit të Botërorit, edhe pse një paramarrëveshje është arritur që më parë. Kjo do të jetë një garë qytetase, në Hanoi që, sipas drejtuesve të këtij sporti, është më spektakolare se një pistë e ndërtuar në periferi. Drejtuesit e Formulës 1 kanë vizituar zonën para garës së Japonisë që u zhvillua javën e kaluar dhe kanë mbetur të kënaqur nga ideja.
“Punimet nuk kanë nisur ende, por është evidentuar zona ku do të zhvillohet gara dhe projekti është në një fazë të avancuar. Vietnami mendon se gjithçka do të jetë gati brenda vitit 2020”, ka thënë Whitingu.