Forumi Ekonomik Botëror: Hendeku gjinor mund të mbyllet pas një shekulli
Hendeku midis burrave dhe grave, i matur në aspektin e përfitimit ekonomik është ngushtuar gjatë vitit të kaluar, por do të duhet edhe një shekull tjetër për t’u zhdukur. Kështu thuhet në raportin vjetor “Global Gender Gap Report 2020” prezantuar nga Forumi Ekonomik Botëror.
Raporti parashikon se do të duhen edhe 99.5 vjet që gratë të jenë në pozitë të barabartë me burrat, ndërsa vitin e kaluar, parashikimi ka qenë për 107.5 vjet. “Duke përshkuar faktet dhe shifrat, do të duhen 95 vjet për të mbyllur hendekun gjinor në përfaqësimin politik, kur gratë aktualisht mbajnë 25.2 për qind të vendeve parlamentare (të dhomave të ulëta) dhe 21.2 për qind të posteve ministrore”, thuhet në raport.
Forumi Ekonomik Botëror thotë se gratë janë duke mbyllur hendekun gjinor në fusha të tilla si politika, shëndetësia dhe arsimi. Sipas raportit pabarazia gjinore po përkeqësohet në vendet e punës, pavarësisht kërkesave në rritje për trajtim të barabartë, përcjell “Telegrafi”.
Por sipas raportit, gratë në të gjithë botën fitojnë mesatarisht 40 për qind më pak se burrat, për punë të ngjashme në pozita të ngjashme.
Raporti zbulon se sfida më e madhe që parandalon mbylljen e hendekut gjinor në ekonomi është nën-përfaqësim në rolet e tyre. “Për të adresuar këto mangësi, strategjitë e fuqisë punëtore duhet të sigurojnë që gratë të jenë të pajisura më mirë me aftësi profesionale për t’u marrë me sfidat dhe të përfitojnë nga mundësitë e Revolucionit të Katërt Industrial”, vijon raporti.
Në listën e 153 vendeve për këtë vit prijnë Islanda, Norvegjia dhe Finlanda, ndërsa në fund të listës janë: Pakistani, Iraku dhe Jemeni.