Forumi i Bledit, Mjeku: Mbi 80 për qind e kompanive të sektorit të TIK-ut eksportojnë shërbimet
Më shumë se 80 për qind e kompanive të sektorit të Teknologjisë së Informacionit (TIK) në vend i eksportojnë shërbimet e tyre. Kështu ka thënë zëvendësministri i Ekonomisë në Kosovë, Getoar Mjeku në Forumin Strategjik të Bledit.
Mjeku ka folur në dy panelet ministrore, “Koncepti ‘Digjitalizimi së pari’ në transformimin digjital – shkëmbimi i praktikave” si dhe “Hartëzimi i performancës digjitale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë paneleve, zëvendësministri Mjeku ka shpalosur punën dhe arritjet e Kosovës sa i përket avancimit të transformimit digjital.
Siç ka njoftuar Ministria e Ekonomisë, Mjeku ka ndarë synimet kyçe të qeverisë të caktuara përmes agjendës digjitale, siç është digjitalizimi i shërbimeve dhe përmirësimi i këtyre shërbimeve, ndër të tjera edhe duke mësuar nga praktikat më të mira të shteteve tjera.
Në këtë njoftimështë thënë po ashtu se pikë tjetër kyçe e diskutimit ishte edhe investimi në aftësim të të rinjve.
“Zëvendësministri Mjeku ka theksuar se sipas raportit ‘E ardhmja e TI-së’ 2023 të publikuar nga ‘Emerging Europe;, Kosova renditet e para në Emerging Europe për numrin e studentëve të fushave të TIK-ut në 100,000 banorë. Për më shumë, 85 për qind e kompanive të sektorit të TIK-ut në vend i eksportojnë shërbimet e tyre. Zëvendësministri Mjeku ka folur për nevojën e këtyre kompanive për fuqi punëtore të re, të trajnuar e të aftësuar”, ka njoftuar Ministria e Ekonomisë.
Zëvendësministri Mjeku ka folur edhe për nevojën e këtyre kompanive për fuqi punëtore të re, të trajnuar e të aftësuar.