Forumi Intelektual E30 në mbështetje të plotë të studentëve

08 nëntor 2024 | 20:32

Forumi Intelektual E30 shpreh mbështetjen e tij të plotë për kërkesat e drejta të studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Peishtina”, duke theksuar rëndësinë e respektimit të zërit të rinisë akademike.

“Bojkoti i mësimit dhe protestat e ardhshme janë mjete demokratike dhe legjitime për të shprehur pakënaqësitë dhe për të kërkuar përmirësime të domosdoshme në sistemin tonë arsimor”, thuhet në reagimin e Forumit Intelektual E30.

Forumi Intelektual ka njoftuar se qëndron krah studentëve dhe bën thirrje ndaj menaxhmentit universitar të reflektojë me përgjegjësi ndaj shqetësimeve të tyre legjitime.

“Linçimi dhe nënvlerësimi i kërkesave studentore janë praktika të një kohe të tejkaluar, që nuk i shërbejnë frymës së përparimit akademik dhe as ndërtimit të një dialogu të shëndetshëm institucional.
Universiteti duhet të jetë një hapësirë e lirisë mendore dhe intelektuale, ku zëri i studentëve jo vetëm dëgjohet, por vlerësohet dhe promovohet si një forcë lëvizëse për zhvillim dhe përmirësim.
Forumi Intelektual mbetet i përkushtuar për një arsim më të mirë dhe për një të ardhme të ndritur për brezat e rinj. Ne besojmë fuqimisht se dialogu dhe reflektimi i mirëfilltë janë rruga e vetme për të avancuar dhe për të përmbushur qëllimin e përbashkët për një arsim cilësor dhe për një universitet që u përgjigjet sa më mirë nevojave të studentëve dhe shoqërisë”, thuhet në këtë reagim të Forumit Intelektual E30, që drejtohet nga Artan Nimani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për Gjermani, ka formuar degën…