Foto nga qyteti i ngrirë në Rusi! Temperaturat kanë shkuar në -50 gradë celcius
Në qytetin rus Vorkuta akulli dhe dëbora kanë mbuluar një qytet të braktisur.
Pamjet janë mbresëlënëse dhe vijnë nga një qytet i Rusisë, që gjendet afro 100km në veri të Arktikut dhe afro 2 mijë kilometra larg Moskës.
Rajoni është i njohur për kushtet ekstreme klimaterike. Sipas “Daily Mail”, regjistrohen temperature tejet të ulta, që arrijnë në minus 50 celcius gjatë muajve të dimrit.
Emigrimi permanent i banorëve, largimi i tyre nga rajoni, kryesisht pas vitit 2013 ka shndërruar disa qytete në qytete fantazmë. Emigracioni në gërshetim me temperaturat ekstreme dhe papunësinë po shkreton këtë rajon dikur të populluar dhe me dendësi normale për normat ruse.
Vorkuta është e njohur për një verë të shkurtër dhe shumë të freskët dhe për temperaturat ekstreme gjatë sezonit të dimrit. Momentalisht në rajon kanë mbetur vetëm 70.548 banorë.
Në periudhën e Stalinit në këtë rajon ishin vendosur baza ushtarake dhe ishin shpërngulur mijëra të burgosur që punonin në minierat e këtij Rajoni. Bazat ushtarake u mbyllën në vitet 1950, braktisia e minierave vazhdoi për disa dekada dhe sot po shkon drejt shkretimit total.