Foto Strakosha: E respektoj vendimin e Panuccit
Trajneri i Kombëtares, Christian Panucci la jashtë grumbullimit Thomas Strakoshën, i cili humbi avionin për të mbërritur me kohë në grumbullim në Durrës. Për këtë, pas publikimit të lajmit ekskluziv, “Panorama Sport” ka kontaktuar ekskluzivisht edhe me babain menaxher të portierit, Foto Strakoshën, ish-kapitenin e Shqipërisë.
Në bisedën telefonike, ish-gardiani i kuqezinjve kërkon me çdo mënyrë të shmangë keqkuptimet për situatën e krijuar, pasi në kryefjalë të asaj që thotë është Kombëtarja, edhe kur bëhet fjalë për të birin.
“Më mirëkuptoni, por e kam të vështirë të flas. Pavarësisht gjithkujt, Kombëtarja është mbi të gjithë”, ka thënë Foto Strakosha.
“Edhe në karrierën time, por në të gjithë jetën time, mbi çdo gjë, ka qenë ekipi kombëtar. Dhe për të respektuar edhe momentin e ekipit kombëtar që ka ndeshjen të premten, duke marrë shkas edhe që unë jam prind, babai i Tomasit, nuk do të jem i bindshëm për asnjë. Kështu që, unë jo vetëm e kam për detyrë, por sinqerisht që e respektoj vendimin e trajnerit”, ka deklaruar Foto Strakosha.