(Foto / Videoreportazh, nata e 67-t në Prishtinë) Jetë normale nëpër rrugë
Jetë normale nëpër rrugët e kryeqytetit ka mbretëruar në natën e gjashtëdhjetë e shtatë të masave kufizuese të vendosura nga Qeveria e Kosovës në luftën ndaj virusit Korona.
Jeta në Prishtinë po zhvillohet normalisht dhe qarkullimi në orar kufizues është i papenguar ashtu sikurse në netët paraprake, raporton “Epoka e re”.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar të enjten se brenda 24 orëve kanë ndërruar jetë shtatë persona, derisa 69 raste kanë rezultuar pozitiv me Covid-19.
“Janë testuar gjithsej 532 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 69 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 7 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Numri total i rasteve pozitive është 14.446 raste nga 56.045 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 581 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 107 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 11.033 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.832.
(Epoka e re)