(Foto / Videoreportazh, nata e 69-t në Prishtinë) Lumenj veturash në rrugët kryesore, pa pengesa
Lumenj veturash në rrugët kryesore të kryeqytetit dhe të papenguara nga policia në natën e gjashtëdhjetë e nëntë të masave parandaluese të vendosura nga Qeveria në luftën ndaj koronavirusit, raporton “Epoka e re”.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar të shtunën në raportin 24 orësh se 3 persona kanë humbur jetë si pasojë e infektimit me Covid-19, kurse 70 raste kanë rezultuar pozitive.
“Janë testuar gjithsej 633 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 70 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 3 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv”, thuhet në njoftimin e IKShPK-së.
Numri total i rasteve pozitive është 14.566 raste nga 57.239 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 589 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 122 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 11.272 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.705.
(Epoka e re)