(Foto / Videoreportazh, nata VII në Prishtinë) Lëvizje më të pakta
Që prej 6 korrikut, në Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe Vushtrri është ndaluar lëvizja e qytetarëve nga ora 21:00 deri në orën 5:00 të mëngjesit.
Në këtë interval kohor e kanë të ndaluar të ushtrojnë aktivitetin e tyre edhe bizneset e gastronomisë.
Ky vendim ka ardhur pas shtimit të numrit të viktimave dhe të të infektuarve me Covid-19, raporton “Epoka e re”.
Sonte në natën e shtatë të masave të reja kufizuese anti Covid, në Prishtinë janë parë lëvizje më të pakëta.
Gjithashtu edhe gastronomia me kohë, sipas orarit të paraparë, nga ora 21:00, po respekton masat e reja kufizuese anti Covid.
Qeveria e Kosovës të dielën krahas këtyre masave, ka vendosur masa të reja që duhet secili qytetar t’i zbatojë e respektojë. “Për të ruajtur shëndetin e qytetarëve Qeveria ka vendosur të ndalojë të gjitha ahengjet në ambiente të mbyllura, pjesëmarrjen në varrime, të pamet dhe ndalimin e përkohshëm të ushtrimit të ushtrimit të riteve në objekte fetare”, ka thënë zëvendëskryeministri i parë, Besnik Tahiri.
Po ashtu qeveria ka bërë thirrje që të respektohen pesë rregulla kundër Covid-19: Vendosja e maskës; aplikimi i distancës fizike; pastrimi i duarve; dezinfektimi vazhdimisht i duarve dhe siperfaqeve; shmangia e prekjeve të syve, hundës dhe gojës.
Sipas të dhënave të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, numri total i rasteve pozitive me Covid-19 është 4 931, me gjithsej 102 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese. Deri më tani numri i përgjithshëm i të shëruarve është 2 267.
(Epoka e re)