(Foto / Videoreportazh, nata VIII në Prishtinë) Rritet disiplina në respektimin e masave

13 korrik 2020 | 23:23

Sonte u bën tetë netë kur Prishtina, Prizreni, Ferizaji dhe Vushtrria kanë hyrë në masa të reja anti Covid-19, ku ndalohet lëvizja e qytetarëve nga ora 21:00 deri në orën 5:00 të mëngjesit.

Këtyre masave të reja me të njëjtin orar, me vendim të Qeverisë së Kosovës i janë bashkuar të hënën edhe komunat: Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë, raporton “Epoka e re”.

Ky vendim i qeverisë është kundërshtuar nga kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, i cili ka theksuar se është vendim i ngutshëm dhe i dëmshëm për ekonominë.

Në këtë interval kohor e kanë të ndaluar të ushtrojnë aktivitetin e tyre edhe bizneset e gastronomisë.

Me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe kontrollit të infeksionit Covid-19, po ashtu qeveria ka marrë vendim të hënën që bartja e maskave të bëhet obliguese në të gjitha aktivitetet jashtë shtëpive/banesave të tyre, si dhe të mbajnë distancë fizike prej 2m në ambiente të përbashkëta jashtë shtëpive/banesave të tyre.

Ky vendim i qeverisë gjithashtu obligon të gjitha institucionet publike dhe private të mbajnë dezinfektues për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme, në hyrje të objektit, të cilat mund të shfrytëzohen nga punëtorët e institucioneve dhe vizitorët.

Në vazhdim të masave tjera të luftimit dhe parandalimit të Covid-19, Qeveria ka pezulluar veprimtarin e çerdheve publike dhe private; aktivitetet rekreative, kulturore dhe sportive të mbyllura në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Gjithashtu është pezulluar puna e tregjeve publike të automjeteve dhe tregjeve të kafshëve, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, janë pezulluar ceremonitë fetare; si dhe është ndaluar grumbullimi i më shumë se 5 personave në sheshet publike, parqe dhe të ngjashme.

Këto masa kufizuese janë marrë pas shtimit të numrit të viktimave dhe rritjes së numrit të të infektuarve me Covid-19.

Në natën e tetë në Prishtinë shihet se është rritur disiplina në respektimin e masave të reja kufizuese anti Covid. Maskat në fytyrë nga ana e qytetarëve po mbahen me shumë, por jo tërësisht.

Edhe gastronomia me kohë, sipas orarit të paraparë, nga ora 21:00, po respekton masat e reja kufizuese anti Covid.

Në rrugët e kryeqytetit shihen lëvizje më shumë të veturave taksi, si dhe ndonjë veturë e ndihmës së shpejt.

Sipas të dhënave të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës,  numri total i rasteve pozitive me Covid-19 është 5 118, me gjithsej 108 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese. Deri më tani numri i përgjithshëm i të shëruarve është 2 370.

 

 

 

 

 

 

(Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më 10 korrik në Mjekësinë Sportive ka vdekur një lehonë…