(Foto/Videoreportazh, nata XLVI në Prishtinë) Qarkullim i madh në kryeqytet, kontrolle të rralla policore
Numri i rasteve të të infektuarve nga Covid-19 në Kosovë vazhdon të jetë i lartë. Edhe të enjten është raportuar për 13 persona që kanë humbur jetën pas infektimit me Covid-19.
Pavarësisht kësaj kronike të zezë e të zakontë, kjo nuk po i pengon qytetarët të mos i respektojnë masat e vendosura nga shteti në luftën kundër këtij virusi. Në këtë natë e këtë orë kur po raportojmë (23:10), në rrugët kryesore të Prishtinës vërehen qarkullim i madh i veturave dhe i qytetarëve.
Kontrollet e policisë janë të rralla, kurse vozitësit në hyrje-daljet e qytetit vijojnë të vozisin me shpejtësi të lartë dhe të papenguar nga Policia e Kosovës, raporton “Epoka e re”.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës ka raportuar se në 24 orët e fundit janë testuar gjithsej 471 mostra, prej të cilëve rezultojnë 158 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 13 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. “Numri total i rasteve pozitive është 12 006 raste nga 45 868 persona të dyshimtë me virusin SARS-CoV-2 dhe 438 raste të vdekjes”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së. Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 245 pacientë, kurse numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 7 929 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3 639.
(Epoka e re)