(Foto / Videoreportazh, nata XXVI në Prishtinë) Lëvizje të reduktuara, mbase për shkak të festës
Lëvizjet në Prishtinë ishin më të vogla në orën 23:00 krahasuar me një natë me parë, mbase për shkak të festës së Kurban Bajramit, por përtej ‘Rrethit të flamurit’ veturat ‘fluturojnë’ me shpejtësi. Nuk ka prani të stacionuar policore.
Numri i rasteve të reja me Covid-19 vazhdon të jetë i lartë në Kosovë.
Në njoftimin e lëshuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës është bërë e ditur se gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 459 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultojnë 226 raste pozitive.
Edhe të premten Prishtina ishte e para për nga numri i rasteve të reja ku prej 226 rasteve 82 ishin nga kryeqendra e Kosovës, raporton “Epoka e re”.
Numri total i rasteve pozitive është 8.330 raste nga 36.509 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 227 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese. Lajm i mirë ishte se janë shëruar 115 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 4.578 raste.
(Epoka e re)