Fotografi i kryeministrit, mëditje sa një pjesëtar i NJSI/FIT
Patrik Domi, fotografi i cili përkujdeset për shkrepjen e momenteve nga paraqitjet publike të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, mund barazohet me një pjesëtar të Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI/FIT) në kuadër të Policisë së Kosovës, i cili përkujdeset për sigurinë e vendit, jo për punën dhe për asgjë tjetër, përpos për shumën e parave që përfiton nga mëditjet.
Fotografi i kryeministrit Kurti ka fituar 1 mijë e 963 euro e 50 cent (1.963.50) nga mëditjet për udhëtime jashtë vendit vetëm në periudhën janar-qershor 2022. Kjo shumë e të ardhurave është pothuajse e barabartë me mëditjet që fitojnë pjesëtarët e njësiteve elitare të Policisë së Kosovës, pavarësisht diferencës së madhe, posaçërisht aspektit të rrezikshmërisë në punë.
Një muaj pune për një polic është 40 orë në javë (160 orë në muaj) dhe për këtë angazhim paguhet veç 525 euro – rroga bazë për të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, përfshirë ata të njësiteve elitare. Shtesa për rrezikshmëri ka qenë 215 euro, ndërsa ajo është ulur tash në 150 euro. Shtesa prej 100 eurove për “punë të veçantë” për njësitet elitare është hequr krejtësisht.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, derisa ka provuar të minimizojë protestën e pjesëtarëve të NJSI/FIT të Policisë së Kosovës, ka thënë nëpërmjet një postimi në “Facebook” se të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve policorë që shprehën paknaqësitë e tyre të mërkurën janë mbi 2 mijë e 200 euro, përfshirë shtesat e rrezikshmërisë.
Ai ka dhënë edhe disa shifra me qëllim të shpalljes së kërkesave të shprehura tash e një kohë nga pjesëtarët elitarë të Policisë së Kosovës sikurse diçka jolegjitime, derisa nuk ka tentuar t’i adresojë fare shqetësimet e NJSI/FIT, derisa fotografi i kryeministrit Kurti vazhdon të marrë shumë të njëjtë të të hollave nga mëditjet sikurse një polic special.