Fotografi që vetëm njëherë ndodh në jetë!
Ish-luftëtari i UÇK-së dhe profesori Besim Muhadri, ka postuar në profilin e tij një fotografi të bërë në qershor të vitin 1999, në Qafë të Prushit, në kufirin Kosovë-Shqipëri.
Në këtë fotografi shihen ushtarët e UÇK-së, së bashku me zyrtarë të OSBE-së.
Muhadri ka treguar se si zyrtari slloven i OSBE-së ua ka dhënë një porosi ushtarëve të UÇK-së me këto fjalë: “Ruani këtë fotografi, sepse kjo gjë ndodh vetëm një herë në jetë!”.
Postimi i plotë i Muhadrit:
Në Qafë Prush, më 15 qershor 1999
Ishte 15 qershori i vitit 1999, kur bashkë me Nexhat Çoçajn dhe dy përfaqësuesit e misionit të OSBE-së që gjatë asaj kohe ishin në Krumë, njëri francez e tjetri slloven (ky në foto me cigare në gojë), shkuam në pikën kufitare të Qafë Prushit.
Forcat ushtarake serbe tashmë ishin tërhequr dhe po largoheshin turpshëm nga Kosova.
Nga pjesa e territorit të Shqipërisë zbritëm poshtë në pjesën e Kosovës, aty ku vetëm dy tri ditë më parë kishin qenë forcat ushtarake serbe dhe hoqëm tabelën, në të cilën, siç shihet në foto, shkruante në çirilicë ‘Državna Granica’ (Kufiri shtetëror). Ishte ide e sllovenit që ta bënte këtë foto, duke e hequr tabelën bashkë me ushtarët e UÇK-së, njëri nga ta Fatmir Koci.
Fotografinë e bëri Nexhat Çoçaj.
“Ruani këtë fotografi, sepse kjo gjë ndodh vetëm një herë në jetë!”- na tha përfaqësuesi slloven i OSBE-së.
Dhe kjo është e vërtetë. Nga ajo kohë, edhe pak ditë, bëhen 21 vite, por, fatkeqësisht, kufiri në mes shqiptarëve ende vazhdon të qëndrojë, por fotografia na mbeti kujtim!
(S.Z / ‘Epoka e re’)