FOTOGRAFIA E DËSHMORIT
Agim Vinca
“Ju pat lindur nëna për një botë të re, lule, more trima, që ratë për atdhe…”
Vitin e kaluar rashë në spital për shkak të një infeksioni. Mjeku që më pranoi, një burrë i gjatë, shtatlartë, rreth 50 vjeç, m’u prezantua si Dr. Murat Mehmeti. Sapo e dëgjova emrin, i thashë: “Doktor, ju e keni emrin e dëshmorit Murat Mehmeti, që ra në demonstratën e 27 nëntorit të vitit 1968 në Prishtinë”.
“Jam i vëllai” – më tha. “Kam lindur tre muaj pasi u vra vëllai, në shkurt të vitit 1969 dhe ma kanë lënë emrin e tij”. U befasova. Nuk e prisja. Emrat te ne, si kudo, shpesh koincidojnë.
Ia shtrëngova dorën dhe i thashë: “Unë kam qenë aty, në turmë, jo larg nga vendi ku ra yt vëlla! Plumbi që e qëlloi atë ka mundur të na qëllonte edhe ne të tjerëve, por ja që ai e kishte pasur atë fat (dikush mund ta quajë edhe fatkeqësi): të binte për atdhe dhe të hynte përjetësisht në kujtesën e kombit!”.
Kjo bisedë u zhvillua në nëntor të vitit të kaluar (2017), në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës (QKU), ku Doktor Murati është shef i njërit nga repartet e Klinikës Infektive. Dy javët në vazhdim, madje më shumë, unë isha pacient, kurse ai mjeku që kujdesej për mua bashkë me ekipin, por nuk më hiqej mendsh biseda që bëmë në takimin e parë, pak para se të shtrohesha në spital.
Rastisi që në krye të vitit dhe pikërisht në nëntor të këtij viti (2018), kur u mbushën pesëdhjetë vjet nga demonstratat e vitit 1968, të shkoja në QKU për një konsultim te dr. Murati. Shfrytëzova rastin t’i shprehja nderimin tim për të vëllanë dhe t’i shtroja edhe disa pyetje që ma ngacmonin kureshtjen. Më interesonte të dija si ishte bërë varrimi i tij pesëdhjetë vjet më parë, sa njerëz kishin marrë pjesë në të, çfarë kishin qenë reagimet e njerëzve etj.
Pas çlirimit të Kosovës, në të vërtetë pas shpalljes së pavarësisë së saj, në vitin 2008, në vendin ku ra i riu Murat Mehmeti, në qendër të Prishtinës, u ngrit një pllakë përkujtimore, në të cilën thuhet: “Këtu, më 27 nëntor 1968, ra në ballë të demonstratave 17-vjeçari Murat Mehmeti, duke kërkuar vetëvendosje për viset shqiptare të pushtuara nga ish-Jugosllavia dhe Republikën e Kosovës, gjatë përpjekjeve për lirimin e shokëve nga burgu i Prishtinës”.
Ky është teksti i plotë, me këtë formulim, kurse sipër tij fotografia e dëshmorit, djaloshit 17-vjeç me sy të zinj e flokë të dendur, të krehur bukur (një Vasil Laç i një kohe tjetër), gati në profil.
E pyes doktor Muratin: “A ka lënë yt vëlla, Murati i parë, ndonjë fotografi tjetër veç asaj që është vënë në pllakën përkujtimore? Ajo është gati në profil”.
“Nuk e di mirë, përgjigjet doktor Murati, por më duket se jo”.
“Prandaj qenka vënë ajo fotografi e jo ndonjë tjetër”, mendova dhe m’u kujtua poezia Dëshmori e Dritëro Agollit, të cilën e di përmendsh, sikurse edhe shumë poezi të tjera të këtij poeti. Dhe, aty për aty, në mjediset e spitalit, ku orë e çast hyjnë e dalin njerëz, mjekë, infermierë, pacientë e të tjerë dhe ku më shpesh se vargje poezie dëgjohen klithma dhimbjeje, ia recitoj doktor Muratit poezinë e Dritëroit.
Artikulli im s’u shoqërua me foton e tij.
Kërkova në fshatin e lindjes shtëpi më shtëpi,
Po më thanë: S’doli në foto kurrë,
Se larg fotografëve thyente në gurore gurë.
Dhe fotografët s’vajtën në atë vend,
Se kish shumë gurë e shumë shkëmb,
As çeta, ku shkoi, s’kish fotografë,
Ish luftë e ishim të varfër.
Po kur u vra nën shkëmbin e ndezur zjarr,
U ndodh në çetë një këngëtar
E këndoi tok me ne mbrëmave:
“Lule djemtë e nënave”…
Artikullin tim për dëshmorin Ali
Gazeta e nxori pa fotografi,
Po unë vura këngën që u këndua mbrëmave:
“Lule djemtë e nënave!…”.
Këtë poezi (ç’rastësi!) Dritëroi e shkroi në vitin 1968, pikërisht atë vit kur në Prishtinë ra dëshmor Murat Mehmeti dhe e përfshiu në përmbledhjen Mesditë botuar një vit më vonë (1969). Ishte koha kur poeti punonte gazetar te “Zëri i popullit” dhe nuk përjashtohet mundësia që të ketë marrë shkas nga ndonjë rast konkret. Madje, duke e njohur poezinë e Dritëroit dhe atë vetë them se pikërisht ashtu do të ketë ndodhur.
Doktor Murati më dëgjoi me vëmendje, i shndërruar në sy e vesh dhe kërkoi t’ia dërgoja këtë poezi, gjë që e bëra po atë ditë, me t’u kthyer në shtëpi.
Kureshtja nuk më la pa i bërë edhe disa pyetje për ngjarjen e gjysmë shekulli më parë, rënien e të vëllait, sado që kur ra ai, dëshmori, ky i sotmi, doktori, ende nuk kishte lindur: lindi rrafsh tre muaj pas rënies së tij, më 27 shkurt 1969.
Më tha se do të më takonte me një kushëririn e tij, që ka qenë moshatar me Muratin dhe pjesëmarrës i demonstratës së madhe të 27 nëntorit, në të cilën studentët e Prishtinës dhe nxënësit e shkollave të mesme kërkuan, në rrugë, Universitet, Flamur, Kushtetutë dhe Republikë.
Kushëriri i doktor Muratit, zoti Iljaz, më tregon disa hollësi rrëqethëse për figurën e dëshmorit dhe rrethanat e kohës kur ra ai.
Familja e dëshmorit Murat Mehmeti (1951-1968) ishte nga fshati Barilevë afër Prishtinës, e shpërngulur në qytet në vitet ’50 të shekullit të kaluar kur Murati ishte ende fëmijë.
“E varrosëm, me urdhër të pushtetit, në orët e hershme të mëngjesit. Në varrim morën pjesë gjithsej 16 vetë, kryesisht familjarë”. Njerëzit edhe po të donin nuk mund të merrnin pjesë, sepse varrimi u bë në kushtet e shtetrrethimit, në orën pesë të mëngjesit, kur tanket silleshin rrugëve të Prishtinës dhe kur e tërë Kosova ishte dëng me policë e ushtarë të armatosur gjer në dhëmbë.
Në varrim morën pjesë pak njerëz, por varri qysh të nesërmen u mbulua me kurora lulesh nga studentët. Jo një e dy, por njëzet-tridhjetë.
Për ngushëllime erdhën njerëz nga fshati (Barileva, sot Bardhaj), familjarë e kushërinj dhe disa intelektualë të guximshëm të Prishtinës, kryesisht të lagjes së vjetër të qytetit, ku gjendej shtëpia e familjes Mehmeti.
Më tronditi pa masë një detaj që dëgjova në takimin me dr. Muratin dhe kushëririn e tij. Kur shkuam ta merrnin trupin e pajetë të Muratit në spitalin e qytetit, në morg, thotë kushëriri Iljaz, një udbash shqiptar me kapelë republikë, na tha: “Merrni këtë pleh!”. Kështu u shpreh udbashi shqiptar, në prani të babait të Muratit, Qazimit dhe ne të tjerëve. Ndërhyri kolegu i tij serb, i cili i tha: “Mos fol ashtu, ky e ka evlad!”.
Kanë kaluar pesëdhjetë vjet nga ajo kohë. Shumë ujë ka rrjedhur, shumë ngjarje kanë ndodhur, shumë gjëra kanë ndryshuar. Pesëdhjetë vjet nuk janë pak: gjysmë shekulli, një jetë njeriu. Ndoshta ai udbashi me “sheshir” tani është bërë patriot, ndoshta ka zënë ndonjë post në Kosovën e lirë. Në mos ai vetë, që duhet të ketë “cofur” ndërkohë, siç do të mund të thoshim po qe se do të flisnim me gjuhën me të cilën fliste ai në ’68-n, pasardhësit e tij. Kushedi!
Sa i përket fotografisë, Iljazi më shpjegon se fotografia që është vënë te pllaka përkujtimore e dëshmorit është shkëputur nga një fotografi e përbashkët, ku Murati kishte dalë me shokët dhe shoqet e klasës në fund të vitit shkollor, vetëm disa muaj më parë, në mos edhe më pak.
Dëshmori Murat Mehmeti, djalë i ri, 17 vjeç, bir i një familjeje të varfër të shpërngulur nga fshati në qytet, nuk ka pasur mundësi të dilte shpesh në fotografi. (Aparati fotografik atëbotë ishte privilegj i bijve të të kamurve dhe funksionarëve, kurse sot, në erën e celularit, moshatarët e tij bëjnë me dhjetëra selfie në ditë).
Është e dhimbshme ta mendosh se një djalë i ri, nxënës i shkollës së mesme, nuk ka lënë pas më shumë se një a dy fotografi. Pas ndonjë viti, kur ta kryente maturën, Murati do të bëhej student… Do të shkonte në fakultet, do t’i kryente studimet dhe do të bëhej profesor, jurist, inxhinier, mjek a diçka tjetër. Do të dashurohej edhe në ndonjë vajzë me siguri dhe do të dilte më shpesh në fotografi vetëm dhe me të dashurën e tij.
Por, ah! Kjo qe një ëndërr e largët. Plumbi që e qëlloi atë në mbrëmjen e 27 nëntorit, ia ndërpreu rritën, ëndrrat, jetën. Por edhe e bëri të pavdekshëm! Mbeti përjetësisht i ri, ashtu siç qe ditën kur ra, ashtu si dëshmori i Dritëroit, i cili nuk lë pas fotografi, por kujtimi i tij përjetësohet në këngën e popullit. “Po unë vura këngën që u këndua mbrëmave: Lule djemtë e nënave!…”.
Nëna e dëshmorit Murat Mehmeti, lindi edhe gjashtë fëmijë të tjerë, vajza e djem, të cilët u rritën, u shkolluan, u martuan dhe u bënë me fëmijë. Por dhimbja për të birin, Muratin, që iku aq i ri, nuk iu fashit kurrë. As krenaria që ra me nder, për vendin e vet, si shumë të tjerë, bij nënash dhe ata.
Ja, kjo është nëna shqiptare, në Kosovë e gjetkë. Asaj i duhet ngritur përmendorja gjer tek retë! Sepse, nënat shqiptare e mbajtën gjallë kombin. E përtërinë atë. Ashtu siç përtërihet bari çdo pranverë.
Nëna e dëshmorit Murat Mehmeti, Shefkija, e arriti ditën e çlirimit të Kosovës (i ati, Qazimi, jo). Kur në Prishtinë hynë ushtarët e UÇK-së, tok me ta marshonte dhe hija e dëshmorit të vetëm të ’68-s, që i parapriu vitit 1981 dhe viteve të tjera të rezistencës, e cila kulmoi më 1998-99.
Në Prishtinë, përveç pllakës përkujtimore, ka edhe një rrugë me emrin Murat Mehmeti, por familjarët e tij dhe jo vetëm mendojnë se ai meriton më shumë.
Kam qenë në mesin e demonstruesve kur u vra Murat Mehmeti. Thuhej se e qëlloi dikush nga ballkonet e ndërtesave në qendër të qytetit, të banuara kryesisht me serbë, por kushëriri Iljaz thotë se e vërteta është pak më ndryshe: Muratin e shënjestruan, sepse ai e përgjaku një polic te ndërtesa e Kuvendit të atëhershëm Krahinor, ku u sulmuan demonstruesit dhe u plagosën disa syresh… Sipas tij, pra, ai nuk u qëllua rastësisht.
Dy funksionarë të lartë politikë, njëri shqiptar, tjetri serb, shkuan ato ditë në fshatin Barilevë të Prishtinës, nga ishte familja Mehmeti, për ta qetësuar situatën. Njëri nga ata, madje (funksionari shqiptar), sipas dëshmisë së kushëririt, paskësh ardhur natën për ngushëllime te babai i Muratit, sado që kjo duket pak e besueshme, sepse nuk është në logjikën e gjërave.
Një funksionar tjetër politik, që ishte drejtor i përgjithshëm i “Rilindjes”, disa muaj më vonë, në mars të vitit 1969, e ndaloi një numër të gazetës së studentëve “Bota e re”, për shkak të një vjershe, e cila u kuptua si vjershë kushtuar të vrarit në demonstratën e 27 nëntorit, Murat Mehmetit, edhe pse në fakt i dedikohej dikujt tjetër, të përndjekur nga pushteti, por jo edhe të vrarë.
***
Kur shkova pas dy javësh në klinikën ku punon doktor Murati, si mjek dhe drejtues reparti, posa u përshëndetëm më tha: “Të faleminderit, profesor. Poezinë e Dritëro Agollit e kemi vënë pranë fotografisë së vëllait në mur”.