Fotografia tek shkallët, Kurti:Me Sullivanin u takuan në Shtëpinë e Bardhë

27 maj 2022 | 13:08

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për mediat pas kthimit në Kosovë dhe qëndrimit trejavor jashtë shtetit, fillimisht në ShBA e më pastaj në Zvicër.

Kurti ka thënë se këshilltarin e presidentit amerikan, Joe Biden, Jake Sullivan e ka takuar në ambientet e Shtëpisë së Bardhë.

Ai ka thënë se Sullivani është një person mjaft i informuar për sigurinë në rajon dhe takimi me të ka qenë i një rëndësie të veçantë.

“Që do të qëndroj gjatë e kam paralajmëruar më kohë përveç atyre që nuk i ndjekin zhvillimet politike. Unë kam qenë në Shtëpinë e Bardhë dhe takimi ka qenë me këshilltarin për siguri kombëtare, Jake Sullivan që është pikërisht takim në funksion të qëllimit tim tjetër përvec investimeve në Kosovë e ajo është siguria për Kosovën. Në ndërhyrjen e NATO-s për ta ndalë gjenocidin në Kosovë kemi pasur katër figura të jashtëzakonshme politike në ShBA, presidentin Clinton, Sekretaren Albright, gjeneralin Clark dhe zëdhënësin James Rubin, por prapa tyre ka qenë këshilltari për siguri kombëtare, Sandy Berger e tash në vend të tij e kemi këshilltarin Jake Sullivan i cili është një person shumë i informuar dhe i mprehtë dhe takimi me të ishte i një rëndësi tejet të veçantë ”, ka thënë Kurti.

Më tutje, Kurti ka thënë se në ShBA ka kërkuar mbështetje për anëtarësim në NATO dhe Këshill të Evropës.

“Kemi biseduar për mundësitë të na ndihmojnë për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe NATO. Dhe kemi diskutuar edhe për synimin e Kosovës të aplikojë për anëtarësim në BE. Është përmendur dialogu Kosovë-Serbi, dhe qëndrimi është i palëkundshëm që Beogradi duhet të ndryshojë dhe dialogu duhet të rezultojë me një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve me ç’rast në qendër do të jetë njohja reciproke”, është shprehur Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Para disa ditësh ka ndërruar jetë veprimtari i çështjes kombëtare…