Fotoreporteri Bylykbashi: Rugova i ra tavolinës kur Gelbardi e quajti UÇK-në terroriste
Ilaz Bylykbashi, fotoreporter, ka treguar në emisionin Pressing në T7 një konferencë të mbajtur nga presidenti Ibrahim Rugova dhe i dërguari amerikan në Ballkan, Robert Gelbard në vitet e paraluftës.
Ai thotë se Gelbardi po i bënte presion Rugovës që të thoshte se aksionet e UÇK-së ishin aktivitete terroriste.
Bylykbashi thotë se kjo ishte hera e parë që e kishte parë të nervozuar Rugovën. Madje ai thotë se Rugova i ra tavolinës në kundërshtim me të dërguarin amerikan.
“Atë ditë është mbajtur një konferencë për shtyp, e Gelbarthit dhe Rugovës. Ai ish ardh mi bo presion Rugovës që të jepte deklaratë se terroristat janë në aksion. Dhe hera e vetme që e kam parë Rugovën të nervozuar, e i kishte rënë tavolinës.
Nuk është e vërtetë kjo i tha. Gelbarthi i tha shko shikoj fotot me maska në Kohën Ditore. Rugova tha se nuk e përjashtoj se mund të ketë qenë ndonjë element, por nuk ka terrorizëm këtu.”, tha ai.