Fotoshop apo diplomacia fotosensitive e lepurushëve kosovarë!

27 shtator 2018 | 11:06

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Trampi, Krrapi dhe Trapi: Para se të bëjë përpjekje të shkarravis diçka duhet, për shkak të korrektësisë dhe respektimit të të drejtave të autorit, të them se shprehjet fotoshop dhe fotosensitiv janë të mikut tim Blerimit (Latifi), i cili bënte përpjekje, si filozof profesionist që është, të më udhëzojë mua, si analfabet profesionist që jam, se si duhet të përdoren dhe kur duhet të përdoren këto shprehje duke menduar se unë e kam kokën e akademikëve legjendarë siç janë Nexhat Presheva dhe Hivzi Medvegja (apo përkthyer në shqip, Hivzi Arinjxhiu) prandaj mos ma shihni për të madhe nëse i keqpërdori këto shprehje. Pra, për çdo mosmarrëveshje eventuale përgjegjësia bie mbi mësuesin (Blerimin) e jo mbi nxënësin e keq (Behxhetin).

Po tash, pasi botërisht ia pranova autorësinë e këtyre shprehjeve Blerimit, ndonëse sipas ligjeve të Kosovës dhe autoritetit suprem intelektual Enver Baba, është e lejuar, madje afirmative nëse kopjoj afërsisht 70 për qind të djersës së të tjerëve, duke qenë shumë i kujdesshëm që mos ta kaloj këtë shifër magjike prej 70 përqindësh sepse, në të kundërtën, mund të më denoncojnë për plagjiaturë, ORCA apo BURCA, ndonëse shkrimet e mia nuk i publikoj në gazetat apo revistat e Indisë, por në gazetat e Dukagjinit dhe të Drenicës.

Për dallim nga Serbia që tërë diplomacinë e saj e ka ndërtuar mbi të pavërteta, që nga babai i diplomacisë sllave, Nikolla Pashiq, i cili si argument kryesor diplomatik e ka konsideruar dhe përdorur rrenën e që e ka pranuar edhe botërisht, diplomatët e rryer kosovarë kurrë dhe asnjëherë, gjatë aktivitetit të tyre jashtëzakonisht të suksesshëm diplomatik, nuk i kanë gënjyer as miqtë e as armiqtë! Kosova ka të ndërtuar dhe të konsoliduar shërbimin diplomatik sipas standardeve më të larta të shkollës për Diplomaci dhe Ndërmjetësim të Muçibabës, si dhe shkollës për Ballafaqim me të Kaluarën dhe Pajtim të Gjylekarës. Realisht do t’i hyja në hak dhe do të bëja padrejtësi nëse këtu nuk e përmendi edhe Akademinë për Diplomaci dhe Kurvëri (kryesisht politike) të Bashkurcit e cila ka nxjerrë një plejadë të lavdishme diplomatësh kosovarë, disa prej tyre, ndonëse analfabetë, kanë shkruar edhe libra.

Pas përfundimit të luftës së lavdishme të UÇK-së që e solli këtë liri që disa, as nuk e kanë merituar e as që e pranojnë duke frymuar me ritmin e lirisë jugosllave dhe serbe, u paraqit nevojë e domosdoshme të aktivizohet diplomacia kosovare e që ashtu edhe u bë.

Ministri i parë i Jashtëm i Kosovës, me letra, ishte diplomati i shkollës vjeneze, miku im dhe vendësi im gjithashtu, Skender Hyseni. Kishte shije për muzikë dhe njohës i mirë i veprave të Shtrausit, Çajkovskit, Bisesë, Shyhretes, Mocartit dhe Tarkanit, si dhe njohës i mirë i verërave dhe gastronomisë, na e zbardhi fytyrën (për ata që e patën) kudo që shkoi. Dhe, ai ishte dhe mbeti doajeni i diplomacisë kosovare apo, siç thuhet te ne, legjendë e gjallë e diplomacisë. E pati një gabim të vogël, apo salto mortale (shprehje imja dhe jo e Blerimit) e që përfundoi si ministër për punë të brendshme. Nuk është fort e pëlqyeshme që shkopin dirigjues të diplomacisë ta zëvendësosh me shkopin e bejsbollit apo pendrekun e policisë!

Pas Skendes, sipas modelit të diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, e patëm diktaturën diplomatike të Enver Hoxhajt. Duket se Enver Hoxhaj që në kohën e pelenave apo pampersave (nëse i ka mbërritur) e ka pasur të shkruar të bëhet diplomat. Kjo për faktin se, sipas një studimi malazias për parashikimin e karrierës, një fëmijë që e bënë m.t në të gjitha anët dhe përsëri qesh sikur të ishte prodhuesi më i madh i mjaltit, pa asnjë dyshim se do të bëhet politikan i shquar apo diplomatik që ia kalon edhe Çerçillit dhe Pashiqit. Enver Hoxhaj i ka këto kualitete por, të jem i sinqertë me të dhe opinionin, e ka një cilësi që rrallëkush e ka, kurrë në jetën e tij private dhe diplomatike nuk ka gënjyer!

Pastaj, një kohë ishte kryediplomat edhe presidenti ynë legjendar, Hashim Thaçi, derisa me ndihmën e disa kurtizanëve dhe kurtizaneve (kurvarë dhe kurva) politike dhe jopolitike u bë president legjendar me mandat deri më 1 tetor të vitit 2019. Edhe ky, sipas parashikimit malazias, që nga pelenat që i janë larë në përroskën e Burojës, pasi i ka mbushur burrërisht, e ka pasur të garantuar karrierën politike që edhe u jetësua maksimalisht. Si shef dhe shok i Enverit (Hoxhaj), kurrë në jetën e tij, nëse llogaritet me moshë, është relativisht i ri, kurse sa iu përket vuajtjeve dhe angazhimit kombëtar, politik dhe global, del se e ka moshën e Metuzalemit (që flitet se kanë jetuar 900 vjet), nuk ka gënjyer apo mashtruar dikë. Prandaj, nga mësuesi i mirë (Hashim Thaçi) del edhe nxënësi më i mirë, apo sipas vlerësimit tim, shembullor e ai është Enver Hoxhaj.

Para se të shkruaj për kryediplomatin e fundit kosovar dhe jo vetëm kosovar, Begjetin nga Mareci, botërisht e pranoj se për mua politikani më i kompletuar, më i shkolluar, më sakrifikuesi dhe më i mençuri ka qenë Hasan Prishtina. Ka qenë sepse më nuk është pasi në skenë dolën dy politikanë, njëri vetëm politikan, Zafir Berisha, i dyti edhe politikan edhe kryediplomat, Begjet Pacolli. Kam qenë shumë naiv kur mendoja se politikani i vetëm që mund të krahasohet me Hasan Prishtinën ishte Baca Adem Demaçi, por se u binda që nuk është ashtu. Madje tash askush nuk po e përmend, sikur të kishte jetuar në kohën para Agronit dhe mbretëreshës Teutë. Pastaj, po të ishte Baca Adem patriot, këta patriotët e shkollës së Titos të Kumrovcit, shkollës së Rankoviqit dhe Sllobodan Millosheviqit nga Pozharevci e që janë ashtëzuar në një pjesë të LDK-së, nuk do ta bojkotonin edhe për së vdekuri.

Pra, aktualisht i kam dy idolë në politikë, Zafir Bershën dhe Behgjet Pacollin e që, për shëndetin, dhe jetën e gjatë që ua dëshiroj e sidomos për mendjen e ndritur që e kanë, e kam flijuar një kurban. Lëreni tash Zafirin, se për të kam shkruar edhe herën e fundit kur parashikova se do të bëhet president i ardhshëm. Edhe Begja ka pretendime, por edhe premtime se, pasi të arkivohet Hashim Thaçi, Begjet Pacolli do të bëhet president i përjetshëm, sikur Josip Broz Tito, të cilin Begja e kishte parë nudo apo cipricullak për ata që nuk e kuptojnë fjalën nudo e që këtë fjalë edhe unë e kam dëgjuar për herë të parë dje, prandaj u nguta ta përdor në këtë shkrim sepse nesër mund edhe ta harroj kuptimin e kësaj fjale. Në fund të fundit, populli i Kosovës, i madh dhe i vogël, i moshuar apo i ri, mashkull apo femër apo të dyja bashkë, i djathtë apo i majtë, ai që ha kallamari apo që meriton kallakari, llapjan, drenicas, dukagjinas, anamoravas i Luginës së Preshevës apo nëntokës së Kosovës (Trepça etj.) nuk do të humbasin asgjë nëse njëri apo tjetri do të bëhej president i Kosovës. Personalisht, sa i përket trashëgimisë patriotike dhe politike, pas arkivimit të Hashimit, mendoj se i merituari për president të Kosovës është Behgjet Pacolli. Zafiri shumë më pëlqen, në shumë raste më impresionon por, në rrafshin kombëtar, emancipimit politik, gjenetikës tradicionale, rrjedhshmërisë së përdoruri gjuhën shqipe dhe respektimit të rregullave të drejtshkrimit, është shumë prapa Begjës i cili, po të mos ishte Eqrem Qabej, do të ishte njëshi shqiptar. Pastaj, Zafiri po del të jetë i dhunshëm, po përdor fjalor të dhunshëm përkundër Begjes që është engjëlli vetë apo melaqja e Kosovës.

Kurrë nga goja e tij nuk del ndonjë fjalë e rëndë, nuk ka urrejtje as ndaj Ivica Daçiqit e lëre më të tjerëve, një ish-krimineli siç është Aleksandar Vuçiqi i jep leje për të ardhur në Kosovë kur të dojë, të flasë çka të dojë dhe të bëjë çka të dojë. Begja, si njeri i traditës, nderit, njerëzillëkut, korrektësisë, bujarisë, filantropisë, besës dhe fjalës së dhënë, nuk po ka problem me Vuçiqin, por me këta të Drenicës që nuk po ia respektojnë mysafirin e që ia kthyen prapë. Kushdo që nuk e njeh Begjën mendon se ai është koç…vogël sepse butësia, brishtësia, ndjeshmëria, sensualiteti, seksualiteti, oportuniteti, kualiteti, kuantiteti (e zgjata pak si shumë) vetëm sa ju mashtron, një koç… e Begjës peshon 25 okë, kurse të dyja po del se janë 20 okë. Më i vlefshëm është testosteroni i Begjës se truri i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Kam edhe shumë për të shkruar por, për momentin, nuk po gjej shprehje që, jo se e glorifikon figurën dhe personalitetin e shokut Begjo, por që në mënyrën më modeste të mundshme e pasqyron këtë diamant kombëtar dhe politik të kombeve dhe kombësive të Kosovës shumetnike!

Diçka për nëntitullin: Sa isha në Burgun e Foçës me Rexhep Malën, Skender Kastratin dhe Agim Sylejmanin, ishte një boshnjak pak si i trashë në mendje me të cilin bënin shaka të burgosurit e tjerë, duke i thënë se është “sitna riba” apo “peshk i vogël” dhe duke aluduar se peshku nuk ka tru. Për të dëshmuar se nuk ishte peshk i vogël dhe se ka tru, Muniri u thoshte atyre që e përqeshnin: “Za neke sam sitna riba, za druge sam som”, “për disa jam peshk i vogël, kurse për disa jam krap”, duke mos e ditur se “som” apo krap përdorej si sinonim i një budallai të madh apo leshkoje.

Është bërë si rregull që ministrat për punë të jashtme apo ministra për çështje botore të Kosovës, e kanë shumë për qejf të dalin në foto me figura të mëdha të politikës botërore apo koç…mëdhenjve që marrin vendime për ata që i kanë koç…t e atrofuara (të rrudhura apo të zvogëluara) e sidomos për ata që nuk kanë fare koç… Këta tanët kanë kryesisht koç… anatomike, fiziologjike, por u mungojnë apo nuk kanë fare koç… politike, kombëtare dhe vendimmarrëse. Prandaj, ngarendin pas koç… të Klintonit, Obamës, Blerit, disa edhe atyre të Putinit dhe Erdoganit kurse, kohët e fundit, po shastisen pas koç… të Trampit. Dëshira për të bërë një fotografi me koç… e Trampit është qëllim i karrierës, e arritura sublime, Kilimanxharo i qëllimeve politike, kombëtare dhe strategjike.

Vetëm njëri nuk e pati këtë qëllim, maestro i politikës dhe diplomacisë kosovare dhe jo vetëm kosovare, Begjet Pacolli. Ai nuk ishte si Hashimi për t’i çuar mesitë disa muaj më parë vetëm sa për t’ia shtrënguar duart dhe për të bërë një foto me koç…madhin Donald Tramp. Begja, burrërisht, si çdoherë më parë, nuk i doli prapa shpine Trampit, por e ruajti pasi Trampi doli nga “avdeshanja” (WC-ja), ia zuri pritën dhe ia zgjati dorën duke e përshëndetur dhe duke uruar që Trampi të mos ketë problem me prostatën. Burrërisht e kreu takimin, nuk e zgjati shumë, një shtrëngim duarsh dhe një mirëkuptim me një shikim të shkurtër apo një BLINK (shkrepje) mirëkuptimi. Dhe, Begja, si modest që është, nuk deshi që këtë takim jashtëzakonisht të rëndësishëm për Kosovën, kosovarët dhe mbarë botën demokratike, ta shndërrojë në një serial si Utarani por, me një fjali të vetme e informoi mbarë botën demokratike dhe vartësitë e tij në Kosovë: “Një takim miqësor me presidentin Tramp…” . B. P. (mos e përktheni në Beograd Petrol), por janë inicialet e idolit tim Begjet (B) Pacolli (P).

A e dini lexues të nderuar kush është në këtë mes Trampi e kush është Trapi?

Konkurs për heronj të rinj të Kosovës: Për festën e ardhshme të Katër Synetive dhe Gjashtë Kanagjeqeve kërkohen emra për heronj të rinj të Kosovës. Kushtet e kërkuara dhe që kanë përparësi: ata që nuk e kanë shkrepur asnjë plumb për Kosovën, ata që kanë shërbyer në ushtrinë okupuese, oficerë të OZNËS, KOSIT, UDB-së dhe BIA-së, dezertorë dhe sabotues të luftës së UÇK-së, bijë dhe bija të ish-shqipfolësve jugosllavë dhe serbë, nipa dhe mbesa të Drazh Mihajlit, hajna dhe hajdutë të fondeve të luftës së UÇK-së, si të Trepërqindëshit ashtu edhe Vendlindja Thërret, pobratima të Sllobës, jarana të Stanishiqit, berberë të Vuk Drashkoviqit dhe ortakë të biznesit të Goran Rakiqit. Ata që e ndanë Mitrovicën, e çliruan Smederevën, e këndojnë Sirinaçka Repën dhe, më në fund, duan të na fusin qepën. Konkurrenca është e madhe, ka vend për të gjithë, heronj dhe heroina, trimëresha dhe azgana, patriotë të sharkisë dhe çiftelisë, dhe ju që jeni bashkëpunëtorë, me traditë, të Jugosllavisë dhe Serbisë. Dhe kushti vendimtar, të jeni kundër shqiptarisë dhe Shqipërisë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli dhe…