FQINJA IME E ZEZË (POEZI)

06 shkurt 2020 | 08:54
Berat Armagedoni
 
FQINJA IME E ZEZË
 
Sot
Në orën 7.33
Në katin e pestë u ndal ashensori
U hap dera e majtë dhe hyri brenda
Një vajzë e gjatë rreth dy metra
Rreth 85 kilogramë, asnjë gram më shumë
E veshur zi në ditë të bardhë
E bukur sa të thuash
E ndershme, ndoshta
Gloss nga fundi deri në krye
Nxori nga çanta e zezë “Zara” (imitim) një buzëkuq
S’ishte krejt i kuq
Buzëve të holla ua vizatoi dy vija të trasha
I puthi me njëra-tjetrën nja dy herë
Ndërkohë u përpoq t’i ngrehë përpjetë vetullat tatu para pasqyrës së një burri
Pastaj nxori një parfum (mbase të shtrenjtë)
Një shkrepje e hodhi në qafë
Një tjetër në shall
Një tjetër në nyjën e dorës së djathtë
Pastaj me të fërkoi të majtën
I futi të gjitha aty ku i mori, në një vrimë
E mbështolli qafën mirë me shall
I futi gishtat në dorëza diqysh sikurse i fusin mjeket
Dhe sapo ra ashensori në katin 0
U hap dera dhe doli jashtë me përshëndetje gojore
“Ditën e mirë, kojshi!”
“Ditën e mirë, kojshike!” i thashë dhe unë gojarisht
Pastaj, duke dëgjuar takat e saj që tash i kisha mbi kokë,
zbrita këmbë në -1
Në garazhin numër 36 mora ‘Opel Corsën’ dhe u nisa për punë
Tri katër-pika vaj të makinës kishin rënë poshtë në beton
Po s’është dhe aq e vjetër sa për të rrjedhur kudo
Po kushedi, mund të ketë ndonjë të metë
Dola nga garazhi pa e lënë makinën të punojë qetë në një vend
Doja të shkoja majtas
Po dikush për hunde më ngrehu djathtas
Ndoshta era parfum
Në kthesën e dytë në të djathtë
Fqinja ime
Po ajo e ashensorit
Këmbë po ecte thik përpjetë
Thua se ka çliruar Kalabrinë
Gjithë rrugën “Rexhep Krasniqi”
Pa i shkuar mendja se do të më fusë në bela me gruan në mbrëmje
Sapo ajo ta nuhasë parfumin e saj
Në rrobat e mia të lira
Rreth 45 euro të gjitha

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Para 21 viteve, më 6 shkurt të vitit 1999 i…