Fqinjësia e kontestuar dhe inkursionet terroriste të Serbisë ndaj Kosovë gjate vitit 2024

02 janar 2025 | 12:48

Shkruan: Prof. Dr. Ibrahim Gashi

Kosova si një entitet i ri shtetëror në Ballkanin Perëndimor që nga 17 shkurti 2008 ka shënuar suksese të prekshme në procesin e legjitimimit ndërkombëtar të statusit të saj. Ajo është njohur nga 117 shtete në mesin e tyre nga shtete shume te fuqishme te botes, është anëtarësuar në organizata me shumë influencë në sistemin ndërkombëtar, ka nënshkruar MSA-në, dhe ndodhet në përpjekjen e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në UNESCO, në Interpol dhe në shumë mekanizma shumëpalësh. Nga ana tjetër Kosova vazhdon të jetë e sfiduar në procesin e afirmimit ndërkombëtar të shtetësisë së saj me mosnjohje nga pesë vende anëtare të BE (Rumania, Spanja, Greqia, Sllovakia dhe Qipro), nga dy anëtaret e përhershëm të KS të OKB-së (Kina dhe Rusia) dhe nga shteti fqinjë i Serbisë.

Mosnjohja nga pesë vendet anëtare te BE-së e ka frenuar procesin e përafrimit te Kosovës për anëtarësim në strukturat e BE-së. Mosnjohja nga dy anëtarët e përhershëm të KS të OKB paralizon çfarëdo iniciativë të anëtarësimit të Kosovës në OKB derisa mosnjohja nga Serbia aktualisht po i krijon Kosovës probleme më të shumta në navigimin e saj në marrëdhënie ndërkombëtare si një entitet i plotë legal.
Procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë nga të gjithë akterët e rëndësishëm ndërkombëtar është konsideruar si një parakusht i rëndësishëm për arritjen një sigurie dhe paqeje të qëndrueshme të rajonit. Kjo është edhe arsyeja përse menjëherë pas verdiktit të GJND-së të vitit 2010, lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, OKB-ja ka autorizuar BE-në që të ndërmjetësoi dhe fascilitoj një proces dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Fillimisht dialogu duhej të përqendrohej të çështjet teknike për të kaluar më pas të çështjet politike. Në parim palët në heshtje pranuan e pastaj edhe nënshkruan se do të bëjnë kompromise të domosdoshme që për palën kosovare ishte themelimi i asociacionit të komunave serbe dhe për palën serbe njohja e Kosovës.

Hapat e parë të palëve drejt normalizimit ishin shumë inkurajues. Serbia me marrëveshjen e vitit 2013 pranoi shuarjen e strukturave paralele në veri dhe më të njëjtën marrëveshje pala kosovare mori përsipër themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe (AKS). Përpjekja e Serbisë për të ruajtur strukturat paralele përmes ngritjes së barrikadave gjatë vitit 2011 dhe vrasjes së policit të Kosovës Enver Zymberi duket se ishte një lojë për të alternuar defunksionalizimin e strukturave paralele jo duke i zhdukur por duke i legjitimuar ato. Pjesa politike e këtyre strukturave u përfshi në një parti të re politike të njohur si “Lista serbe” dhe pjesa militare u rekrutua në Policine e Kosovës dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovë. Kjo në të vërtet ishte një Fitore e Pirros për Kosovën. Kosova edhe pse e nënshkroi marrëveshjen e vitit 2013 për krijimin e AKS nuk lëvizi në drejtim të implementimit të saj.

Procesi i dialogut lëvizi me ritme të ngadalshme. Palët arritën një numër marrëveshjesh për çështje teknike por pjesa me e madhe nuk zbatohej ngase Serbia i kushtëzonte ato me kërkesën për themelimin e Asociacionit. Presioni ndërkombëtar mbi palën kosovare për themelimin e AKS rezultoi edhe me marrëveshjen e vitit 2015, më të cilën Kosova përsëriti zotimin e saj për themelimin e Asociacionit, duke i lënë në kompetencë Gjykatës Kushtetuese të analizoj kushtetutshmërinë e neneve të Statutit të draftuar të Asociacionit, e cila konstatoj një mospërputhshmëri të shumë neneve të tij me Kushtetutën e Kosovës. Rrjedhimisht rezistenca e opinionit publik dhe atij politik opozitar kundër Asociacionit e zvarriti krijimin e tij pafundësisht.

Gjatë 4-5 viteve të fundit dialogu hyri në një labirinth, duke mos prodhuar pothuaj asnjë marrëveshje përheq atyre imazheve nga Brukseli te shtrëngimit i duarve me ndërmjetësin e ngarkuar nga Bashkimi Evropian z. Lajçak dhe udhëheqësin për politikë të jashtme z. Borell.

Në ndërkohë qeveria në terren bëri disa hapa për ta shtri sovranitetin dhe juridiksionin e institucioneve të Kosovës në komunat veriore i cili kishte qene i papërfillshëm dhe fare pak funksional. Kjo solli tensione. Serbet lokal të përfshirë në strukturat shtetërore të Kosovës filluan t’i bojkotojnë ato. Ata lanë vakante pozitat drejtuese në këto komuna. Dezertuan edhe nga strukturat e policisë së Kosovës dhe mbi të gjitha e bojkotuan me mospjesëmarrje procesin e zgjedhjeve lokale atje. Nga ana tjetër institucionet e Kosovës nuk lejuan vakum institucional dhe as pambulueshmeri të sigurisë atje. Kjo për Beogradin ishte e papranueshme dhe ai këtë u mundua ta paraqes ne Bruksel por edhe me gjerë si atak te institucioneve te Kosovës kundër serbëve lokal, duke e vënë shpeshherë palën kosovare në pozitë të sikletshme para partnerëve ndërkombëtar. Kjo lojë e Serbisë bëhej edhe për marketing të brendshëm të klasës politike atje dhe të vet Vuçiqit, por edhe si një pjesë e politikes ekspansioniste të kontestimit të fqinjësisë ndaj Kosovës, duke e cilësuar Kosovën brenda orbitës së botës serbe.

Kjo logjikë politike e Beogradit shkoi edhe me larg. Beogradi po punonte për rikthimin e strukturave paralele atje. Atij si mbeti rrugë tjetër veçse të rikthej gjendjen e konfliktit të ngrirë atje dhe përmes konfrontimit me forcat policore të Kosovës të viktimizoj disa ekstremist për ta arritur homogjenizimin e serbëve të veriut dhe ruajtur varësinë e tyre ndaj Beogradit. Në këtë politikë të diversionit dhe të sabotazhit Beogradi u involvua thellësisht. Përfaqësuesit politik nominal të serbëve të veriut (Lista serbe) po punonte ngushtë me Beogradin për ta kryer një agresion ndaj shtetit të Kosovës dhe kur të ndodh ndërhyrja e forcave të rendit të Kosovës të ketë viktima nga civilët serb në mënyrë që nën kërcnimin e ushtrisë serbe të stacionuar në kufi të provokohet një ndërmjetësim i KFOR-it për të larguar institucionet legale të sigurisë së Kosovës nga ajo pjesë.

Sulmi terrorist i 24 shtatorit i vitit të kaluar është dëshmi e këtij skenari. Fatmirësisht sulmuesit u dekonspiruan dhe u vunë në ndjekje të forcave policore të Kosovës. Skenari i Vuçiqit si duket dështoi keq. Sulmi është duke u hetuar nga agjenci profesioniste ndërkombëtare. Cilido që të jetë rezultati i hetimeve një gjë është e sigurt se Serbia nuk ka hequr dorë nga destruktiviteti i saj karshi Kosovës. Ajo e konteston fqinjësinë me shtetin e Kosovës. Për më shumë ajo i bën obstruksion të hapur kësaj fqinjësie.

Më këtë sulm terrorist nuk u cenua vetëm sovraniteti territorial i Kosovës por u rrezikua seriozisht edhe misioni ndërkombëtar i KFOR-it. Por për fat të keq Serbia nuk u ndëshkua për këtë agresion të hapur ndaj shtetit të Kosovës në një kohë kur siguria e saj është e garantuar nga forcat ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë (KFOR). Këtë akt të agresionit të hapur ajo e kaloi pa ndonjë konsekuencë të madhe. Mbase për ti ikur dialogut përkatësisht zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit ajo ka zgjedhur rrugën e obstruksionit dhe të provokimit të akteve diverzive dhe terroriste ndaj Kosovës.

Sulmi më i fundit në kanalin e ujësjellësit nga Ujmani është inkursioni i radhës, në leximin me logjik si vazhdimësi e agresionit të 24 shtatorit, anipse edhe për këtë rast janë duke u kryer hetime ndërkombëtar mbi motivet dhe akterët e mundshëm.

Si përfundim trajektorja e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nga 2008-ta e këndej nuk ka përjetuar ndonjë transformim përmbajtësor. Ka ndodhur fare pak progres në drejtim të normalizimit. Serbia ka frenuar gjithë iniciativat për të lëvizur drejt një marrëveshje përfundimtare e bindur se ajo do të impononte njohjen e Kosovës. Në këtë politikë obskurantiste kundër Kosovës Serbia ka përdor të gjitha mjetet e mundshme, duke filluar nga propaganda, manipulimi i serbëve lokal, bojkotimi i institucioneve, protesta dhe dhunë të hapur e deri tek aktet e agresionit terrorist kundër shtetit të Kosovës. Viti 2024 ka shënuar piken më të ultë në marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Beogradit. Beogradi më këtë është përcaktuar për politikën e fqinjësisë së kontestuar dhe agresivitetin e hapur kundër shtetit të Kosovës.

Protestat e studentëve në Serbi kundër regjimit jodemokratik të Vuçiqit dhe zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë zhvillime që mund të krijojnë realitete më me pak tensione gjatë vitit 2025, në Kosovë dhe në rajon.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Valon Murtezaj Në përgjithësi viti 2024 ishte një vit…