Fragment nga autobiografia e Papa Françeskut

22 prill 2025 | 08:31

Papa Françesku lindi në vitin 1936 dhe u rrit në Buenos Aires, në barion [lagjen] “Flores” – në një mëhallë të thjeshtë. Në vitin 1958 u bë rishtar jezuit; u shugurua meshtar në vitin 1969, u bë kryepeshkop i Buenos Airesit në vitin 1998 dhe u zgjodh papë në vitin 2013. Por, gjatë këtyre shtatë dekadave, bariot argjentinase dhe njerëzit e saj mbetën gjithmonë pranë zemrës së tij. Në këtë fragment nga autobiografia e tij Shpresa [Hope], botuar në janar, ai përshkruan për herë të parë përfshirjen e tij në atë botë.

Nga: Papa Françesku (1936-2025)
Fragmenti u botua në ditoren The Daily Telegraph
Përktheu nga anglishtja: Agron Shala

Bario ishte një mikrokozmos kompleks, multietnik dhe multikulturor. Familja jonë gjithmonë kishte marrëdhënie shumë të mira me hebrenjtë të cilët në “Flores” i quanim “rusë”, sepse shumë prej tyre kishin ardhur nga zona e Odesës – ku jetonte një komunitet i madh hebraik, një numër i madh prej të cilëve do të masakroheshin nga forcat pushtuese rumune dhe naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shumë prej klientëve të fabrikës ku punonte babai im, ishin hebrenj të punësuar në industrinë tekstile, dhe shumë prej tyre ishin miqtë tanë.

Po ashtu, kishim edhe shumë miq myslimanë, madje edhe mes djemve të grupit tonë, të cilët për ne ishin “turqit”, meqë zakonisht vinin me pasaporta nga Perandoria e vjetër Osmane. Ata ishin sirianë dhe libanezë, e më pas kishte edhe irakianë e palestinezë. Madje, gazeta e parë në gjuhën arabe në Buenos Aires daton nga fillimi i shekullit XX. A është turku aty? A do vijë edhe rusi? Në barion tonë, të qenit ndryshe ishte normë dhe ne e respektonim njëri-tjetrin.

Qarku, ashtu si edhe tregu i rrugës, ishte një përqendrim i larushisë njerëzore. Punëtorë, të përvuajtur, besimtarë, të lumtur. Ishin katër “beqare të vjetra”, sinjorinat [signorine] Alonso, gra të përkushtuara me prejardhje spanjolle që kishin emigruar në “La Plata”. Ato ishin qëndistare të afta, me një mjeshtëri të jashtëzakonshme. Një qepje dhe një lutje, një lutje dhe një qepje. Mamaja [Mamá] e dërgoi motrën time tek ato që të mësonte, por Marta u mërzit së tepërmi dhe ankohej: “Mami, ato gra s’flasin fare, nuk thonë asnjë fjalë, vetëm luten”!

Jorge Mario Bergoglio (në të majtë) gjatë stërvitjes në oborrin e Shkollës “Don Bosko” [Don Bosco] në Buenos Aires, Argjentinë (Burimi: Rex)

Dhe, pastaj, pothuajse në cep të rrugës sonë, ndodhej një pelukeria [peluquería – floktore] , me një apartament ngjitur; floktarja quhej Margot, dhe kishte një motër që ishte prostitutë. Ajo e kombinonte punën e saj me shërbime si larje flokësh, prerje dhe modelim flokësh. Ishin njerëz shumë të mirë, dhe mamaja ime shkonte ndonjëherë atje për të rregulluar flokët. Një ditë, Margota lindi një fëmijë. Nuk arrita të kuptoja kush ishte babai dhe kjo më çuditi dhe më intrigoi, por barioja nuk dukej shumë e shqetësuar për këtë.

Në të njëjtin ndërtesë, në një apartament tjetër, jetonte një burrë i martuar me një grua që kishte qenë kërcimtare vodëvili dhe ajo gjithashtu njihej si prostitutë: ishte ende e re kur vdiq nga tuberkulozi, e rrënuar nga ajo jetë. Mbaj mend varrimin e shpejtë dhe të trishtuar të saj: burri dukej i mbyllur në vetvete, i heshtur dhe i distancuar, i shqetësuar vetëm që të mos merrte sëmundjen dhe për gruan e re që kishte zëvendësuar të ndjerën. Nëna e gruas, Berta, e cila ishte franceze, kishte qenë gjithashtu kërcimtare dhe thuhej se kishte performuar në klubet e natës të Parisit. Tani punonte si shërbyese nëpër shtëpitë e të tjerëve, për orë të tëra, por kishte një sjellje dhe dinjitet të jashtëzakonshëm.

Që nga fëmijëria ime, e kam njohur edhe anën më të errët dhe të ekzistencës, njërën dhe tjetrën, në të njëjtin vend. Edhe botën e burgjeve: furçat që përdornim për të pastruar rrobat i blinim nga të burgosurit në burgun lokal, dhe kështu mësova për herë të parë se diçka e tillë ekzistonte.

“Në barion tonë, të qenit ndryshe ishte normë dhe ne e respektonim njëri-tjetrin”: Jorge Mario Bergoglio (në të djathtë) pozon me dy shokë klase në Shkollën Teknike të Buenos Airesit në Argjentinë (burimi: Reuters)

Në lagje ishin edhe dy vajza të tjera, motra gjithashtu, që punonin si prostituta. Por, këto ishin të klasit të lartë: Takimet ato i organizonin me telefon, dhe merreshin vesh që t’i merrnin me veturë. Quheshin “la Siçi” [la Ciche] dhe “la Porota” dhe e gjithë barioja i njihte.

Kaluan vitet dhe një ditë, kur isha tashmë ndihmës i ipeshkvit të Buenos Airesit, ra telefoni në pallatin ipeshkvor: ishte la Porota që po më kërkonte. E kisha harruar krejt si dukej; nuk e kisha parë që nga koha kur ishte një vajzë e re. “Hej, s’më mban mend? Kam dëgjuar që të kanë bërë ipeshkëv, dua të të shoh”! Ndodhi gjithçka rrëmbimthi. Eja, i thash, dhe e prita në pallatin ipeshkvor. Isha ende në “Flores”; duhet të ketë qenë viti 1993.

“E di ti”, më tha, “kam bërë kurvëri kudo, edhe në Shtetet e Bashkuara. Kam fituar para, pastaj u dashurova në një burrë më të moshuar, që ishte dashnori im dhe, kur ai vdiq, jeta ime ndryshoi. Tani kam pension. Shkoj dhe i pastroj pleqtë në shtëpitë e të moshuarve, ata që s’kanë njeri që të kujdeset për ta. Nuk shkoj shumë në meshë dhe e kam përdorur trupin tim për gjithçka, por tani dua të kujdesem për trupat për të cilët askush nuk kujdeset”. Një Magdalenë e kohëve moderne.

Më tregoi se edhe jeta e motrës së saj, la Siçi, kishte ndryshuar, dhe se ajo kalonte kohën duke u lutur në kishë: “Është bërë shenjtore e vetëshpallur [chupacirios], që mendon se ka moral superior! Thuaj edhe ti që të lëvizë bythën dhe të bëjë diçka për të tjerët”! Gjuha e saj ishte piktoreske dhe me imagjinatë, me katër fjalë të pista për çdo pesë fjalë që thoshte. Dhe, ishte e sëmurë.

Portret familjar: Jorge Mario është i katërti nga e majta në rreshtin e sipërm (me jakë të bardhë); prindërit e tij, Mario dhe Regina, janë në rreshtin e parë – dy të parët nga e majta (burimi: AP)

Dikur, më vonë, kur tashmë isha kardinal i Buenos Airesit, la Porota më telefonoi sërish për të më thënë se donte të organizonte një festë me mikeshat e saj dhe më pyeti nëse do të shkoja të mbaja meshën për ta, në kishën famullitare të Shën Injacit [Iglesia de San Ignacio de Loyola]. I thashë po, sigurisht, ndërkohë që mendoja se kush mund të ishin këto mikesha. “Por, eja më herët, sepse shumë prej tyre duan të rrëfehen”, shtoi ajo

Gjatë asaj periudhe, takoja shpesh Át Pepen – Don José di Paola – një prift i ri të cilin e njihja që nga fillimi i shërbimit tim si ipeshkëv. Që nga viti 1997, ai kishte qenë famullitar në Virgjëreshën e Kakupesë [Virgen de Caacupé] në lagjen “Vija 21” [Villa 21]. Ai është një njeri i Zotit, një nga ata priftërinjtë që kanë punuar gjithmonë në vijas mizerias [villas miserias – lagjet e varfra], në qytezat me baraka që gjenden rreth e qark Buenos Airesit: Vetëm në kryeqytet ka rreth tridhjetë të tilla dhe rreth një mijë në të gjithë provincën. Vijat janë një masë e ngjeshur njerëzish, të mbushura me qindra-mijëra banorë. Shumica e familjeve atje vijnë nga Paraguai, Bolivia, Peruja dhe nga zonat e brendshme të Argjentinës. Ata nuk e kanë parë kurrë shtetin – dhe kur shteti mungon për 40 vjet, kur nuk ofron strehim, ndriçim, gaz apo transport, nuk është edhe aq e vështirë që në vend të tij të krijohet një strukturë paralele. Me kalimin e kohës, sasi të mëdha droge filluan të qarkullonin dhe droga sjell dhunë dhe shkatërron familjet. Pako [paco], ose “pasta e kokainës” – mbetjet e prodhimit të kokainës për tregjet e pasura – është droga e të varfërve, është një murtajë që thellon edhe më shumë dëshpërimin.

Kardinali Jorge Mario Bergoglio gjatë një vizite në vendbanimin “Barakas” [Barracas] në Buenos Aires, Argjentinë

Aty, në ato skaje që gjithnjë e më shumë duhet të bëheshin qendra të reja të Kishës, jeton dhe dëshmon Ungjillin çdo ditë një grup laikësh dhe meshtarësh si Át Pepe, mes të përjashtuarve nga një ekonomi që të vret. Ata që thonë se feja është opiumi i popullit – një përrallë ngushëlluese për t’i mbajtur larg – do të bënin mirë të shihnin më parë rreth e përqark vijave: do të shihnin se si, falë fesë dhe përkushtimit pastoral e qytetar, këto lagje të rrënuara kanë bërë përparime të pabesueshme, pavarësisht vështirësive të jashtëzakonshme. Do të përjetonin gjithashtu një pasurim të madh kulturor. Do të zbulonin vetë se si çdo shërbim, ashtu si vetë feja, është gjithmonë një takim, dhe se vetë ne jemi ata që kemi më shumë për të mësuar nga të varfrit. Kur dikush thotë se jam një papa vijero [papa villero – át i lagjeve të varfra], lutem vetëm që të jem gjithmonë i denjë për këtë.

Takimet me Át Pepen gjithmonë më pasuronin shpirtin dhe jetën shpirtërore. Me kalimin e kohës, miqësia jonë u thellua. Atë vit – besoj se ishte viti 2001 dhe Pepe kishte kohë që shërbente si kura vijero [cura villero – prift i lagjeve të varfra] – ai po kalonte një periudhë të vështirë dhe të ndërlikuar krize në thirrjen e tij prej meshtari, të cilën më pas e shpjegoi ai vetë. Ai foli hapur me eprorët e vet, kërkoi të lirohej nga detyrimet si meshtar, dhe shkoi të punonte në një fabrikë këpucësh. Kur ma shpjegoi këtë, thjesht i thashë: eja të më shohësh, kurdo që dëshiron. Dhe, kështu bëri. Në disa raste, pasi dilte nga puna, ecte për dy orë dhe vinte në katedrale. E prisja, i hapja derën, e dëgjoja dhe bisedonim. Por, gjithmonë lirshëm.

Mario Bergoglio buzëqesh për një portret në shkollën “El Salvador”, ku jepte mësim për letërsi dhe psikologji, në Buenos Aires, Argjentinë

Takim pas takimi, muaj pas muaji, kaloi koha derisa një mbrëmje erdhi dhe tha: “Át, ja ku jam … do të doja të kremtojmë meshën”. U përqafuam. “Dëshiron ta kremtojmë së bashku më 20 korrik, në Ditën e Miqësisë [Fiesta del Amigo]”? – e pyeta. Ishte i lumtur. “Atëherë le ta bëjmë te Shën Injaci”, thashë. “Do të mbaj meshën atje sepse një zonjë nga ‘Floresi’ ma ka kërkuar”. Kështu që shkuam së bashku. Ecëm nga selia e dioqezës përgjatë rrugës “Bolívar” dhe mbërritëm në kishë: të gjithë ishin ish-prostituta dhe prostituta pjesëtare të “sindikatës”. Dhe, të gjitha donin të rrëfeheshin. Ishte një kremtim i mrekullueshëm. La Porota ishte e lumtur – gati në lot.

Ajo më telefonoi për herë të fundit pak kohë më vonë, kur ishte në spital. “Të kam thirrur që të më sjellësh vajin e të sëmurëve dhe kungimin, sepse, e di ti, këtë herë nuk do t’ia dalë mbanë”. Gjithë këtë e tha ndërkohë që shante një mjek dhe bërtiste ndaj një pacienti tjetër; nuk kishte humbur asgjë nga gjallëria e saj, as në orët e fundit. Genio y figura hasta la sepultura, themi në Argjentinë – të njëjtat sjellje dhe reagime, gjatë gjithë jetës dhe deri në varr. Por, ajo iku për së mbari – si tagrambledhësit dhe prostitutat që hyjnë në Mbretërinë e Zotit përpara nesh (Mateu 21:31). Dhe, e kisha shumë për zemër. Edhe sot nuk harroj të lutem për të në ditën e vdekjes së saj. /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Polici nga Gjakova, Fatlind Sylaj, ka dhënë dorëheqje nga Policia…