Fragment nga romani ‘Bëje ose Vdis’

21 janar 2025 | 13:20

Një luftëtar i UÇK-së, ishte plagosur rëndë. Doktor Hazrolli e operoi tre herë. Herën e tretë e mbështeta edhe unë, por ishte shumë keq. Dukej qartë që s`do mbijetonte, por u bë edhe më keq.

Pikërisht, ato ditë mbi pesë mijë ushtarë e polic serbë, të mbështetur edhe nga mercenarë rusë, me rreth njëqind tanke e autoblinda, sulmuan fshatin ku ishim vendosur ne. Në largim e sipër, morëm me vete edhe të sëmurët e të plagosurit nga spitali. Arritëm në një mal, ku nuk guxonim të ndiznim as zjarr, për shkak që të mos na detektojnë serbët. Gjendja e ushtarit u përkeqësua, dhe ishte e qartë se orët në vijim ishin vendimtare për të. Ushtari i UÇK – së, që me sa mbaj mend, e kishte emrin Fitim, filloi të dridhej nga të ftohtit. Dukej sikur dridhej nga i ftohti, por unë e dija që këto nuk ishin të dridhura veç prej të ftohtit, por edhe e plagët e marra në front me 21 janar, e kishin bërë të vetën. Doktor Hazrolli, hapi batanijen dhe e mori në kraharor Fitimin, duke u munduar ta ngrohte sado pak. Hazrolli e kishte mbështetur në kraharorin e tij tamam si një foshnjë, edhe pse ushtari ishte me trup më të madh se doktori. Në momentet e fundit të jetës, ushtarit i shkëlqenin sytë nga ajo që po bënte doktori për të. Po dridheshin të dy. Të dy ishin një. Nuk e kuptoja gjuhën e tyre. Nuk e njihja gjuhën shqipe, por e di që po e motivonte. Mundohej ta hutonte që Fitimi të mos binte në kllapi. Mundohej që Fitimi të mos i mbyllte sytë. Pas pak minutash të dridhurat u ndalën. Të tjerët ishin kureshtarë me e ditë pse u ndalën të dridhurat, duke shpresuar që ndoshta u ndalën ngaqë u ngroh trupi i ushtarit Fitim, por unë si mjek, e dija mirë pse u ndalën. Natyrisht, ndodhi ajo që prisja. Ushtari Fitim, ia dorëzoi shpirtin e tij, Zotit, dhe UÇK – së. Zotit, sepse ishte besimtar dhe e dinte se Zoti ishte krijues ynë, dhe se te ai do kthehemi! UÇK – së, sepse kur kishte dhënë betimin si ushtar lirie, kishte thënë që shpirtin e tij para Zotit, do ia dorëzonte UÇK – së, dhe këtë e realizoi përmes doktor Hazrolli, i cili, pos që ishte mjek, ishte edhe epror i UÇK – së. Askush nuk po merrte guximin të hapte batanien, tashmë, kur të gjithë e kuptuan se ushtari Fitim, shkoi në amshim. U përjetësua. E pakuptueshmja ishte, se pse Hazrolli nuk po e hiqte batanien tashmë kur gjithçka kishte mbaruar. Hamendësimet e të gjithëve, i ndërpreu një dënesje!

– Po rënkon! Foli një motër medicinale. Ndoshta është gjallë.

– Jo! Foli një mjek tjetër. Nuk po rënkon Fitimi. Motra medicinale u afrua dhe hapi ngadalë batanien. Pamjen që pashë në atë moment, s`do ta harroj përjetë! Ai që rënkonte e qante me ngashërim, ishte doktor Hazrolli. As nëpër filma s`kisha parë një pamje të tillë. Edhe pse ai kishte vdekur, doktori nuk e lëshonte Fitimin nga kraharori i tij. Po qante si një foshnje në gjoksin e çlirimtarit Fitim! Po e mbyste dhimbja që nuk ia shpëtoi dot jetën. Isha i sigurt, se po të mundej, edhe shpirtin e tij do ia falte. Na bëri të qajmë të gjithë. Qau edhe komandanti. Edhe ai ushtari, për të cilin thoshin që i kishin vrarë gjithë familjen serbët, dhe askush nuk ia kishte pa lotin, Atë ditë, qau. Ndoshta qau edhe mali përbri fshatit, lisat, gurët, e gjithçka e gjallë për rreth.

(Marrë nga romani “BËJE OSE VDIS” autor Sejfullah Sejfullahu )

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në qiellin e shtatë për betimin e Presidentit të ri…