Fragmente nga romani “Mos e harro Japoninë, Suzanë”
AZIZ MUSTAFA
- (U mbush kupa)
Demiri u bë si rrodhja, si ajo bima e keqe që të ngjitet këmbëve e nuk të shqitet. Secilën ditë të lume më thërriste. Filloi të vinte në klinikë secilën ditë. Ma bëri Zoti ferr edhe klinikën. Përpiqesha që t’i shmangesha por, kot, më ndiqte si gjahtari lepurin, deri te dita D.
Atë ditë, në fund të orarit të punës, Përndjekësi m’u fut në zyrë. Kërkonte zgjidhje. I shpjegova se zgjidhje do t’i bëhej por, pas një viti. I shpjegova edhe një herë se nuk bën të ndërhyhet tani, jo pa kaluar një vit kohë. E kisha dërguar edhe te dr. Mesuti, i cili ia kishte thënë të njëjtat fjalë. Po Demiri, Demir, kokëhekur. I thashë se biseda përfundoi për këtë temë dhe e luta të dilte jashtë por, nuk u bind.
“Mirë, nëse ti nuk shkon, po shkoj unë” – dhe sapo u nisa drejt derës, ma më kapi për mënge. E shtyva. Më shau me babë e me nënë. U mbush kupa. E kapa, e grushtova me grushte e shkelma derisa e përgjaka. Ishte një djall i fortë që komandonte trupin tim dhe godiste pamëshirshme gjithkund. Ndoshta edhe do ta kisha mbytur po të mos ndërhynin infermieret dhe kolegët nga ordinancat fqinje. Atë e quan t’ia ndalnin gjakderdhjen nga hunda, kurse mua pas dy orësh më arrestoi policia. Ishte shumë e vështirë të dilje nga puna me duart me pranga.
- (Gjashtë muaj burg)
Nga një mjek specialist i nderuar e i respektuar nga të gjithë, përfundova në burg. Gjykimi zgjati dy javë. Më në fund u mor vendimi: gjashtë muaj burg. Rashë në depresion, por e kalova pa përdorur asnjë ilaç. E kalova disi. Nëna u mërzit shumë. Qante pa pra. Më kishte rritur jetim. Po si nëna, shumë mërzitej edhe Eminja, e cila gjatë gjykimit e mbante kokën ulur dhe i fshinte lotët.
Në burg gardianët silleshin mirë. Ushqimi s’ishte i keq, libra kisha mjaft të lexoja, edhe vizita më bënin shpesh.
Burri me të cilin e ndaja dhomën ishte një shtatëdhjetëvjeçar. Quhej Ahmet Kerimoglu. Ishte nga një fshat afër Dyarbakirit. Bujk, por i lexueshëm. Kishte bërë Kuranin hatme disa herë. Falej rregullisht. Gjithë jetën kishte jetuar ndershëm. Edhe në burg jetonte ndershëm.
Në burg ishte për shkak të djalit të madh, Mejdiut. Jeziti kishte blerë një revole se mendonte se një shtëpi që ka erz dhe namuz duhej ta kishte një revole. Por, dikush e kishte spiunuar. Kur erdhën ta arrestonin u tha policëve se ishte e babait. Erdhën dhe e arrestuan plakun teksa në arë mblidhte fasulen. E kishte menduar e çmenduar dhe e kishte pranuar. Ishte dënuar një vit me mundësi faljeje. Kishte ardhur në burg, por hidhërimin në Mejdiun nuk e kishte hequr kurrë.
Një ditë, kur ishte dita e vizitës, gardiani e njoftoi se kishte vizitë. Zakonisht nuk na tregonin kush ishte vizitori. Por, axha Ahmet e luti shumë gardianin të shkonte e të pyeste si quhej personi që i kishte ardhur në vizitë.
“Njëfarë Mejdiu” – i tha gardiani.
Fytyra e axhës Ahmet u prish. Nisi të shante si kurrë më parë. Një njeri fetar, burrë plak, i matur e fisnik, doli nga binarët. Lista e sharjes u zgjatë saqë gardiani doli me një nënqeshje në buzë. Unë mbeta i shtangur.
Më kërkoi falje. Unë prapë nuk fola.
Gjashtë muaj që kaluam bashkë në dhomën e burgut, Mejdiu nuk i erdhi në vizitë.