Franca apel Izraelit: Ndërprit menjëherë ofensivën në Rafah
Franca i ka kërkuar Izraelit të ndërpresë “pa vonesë” operacionin ushtarak në Rafah, i cili rrezikon të krijojë një “situatë katastrofike” për popullsinë civile në Rripin e Gazës.
Kështu thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të publikuar në rrjetin social X.
“Ne kërkojmë nga autoritetet izraelite që të ndërpresin operacionin ushtarak pa vonesë dhe të rifillojnë rrugën drejt negociatave, e vetmja mënyrë e mundshme për të arritur lirimin e menjëhershëm të pengjeve dhe për të arritur një armëpushim të qëndrueshëm e afatgjatë”, thuhet në shënim.
Franca gjithashtu i bëri thirrje Izraelit të rihapë pikat kufitare të Rafahut midis Gazës dhe Egjiptit, në mënyrë që ndihma humanitare të mund të hyjë në territorin palestinez, dhe denoncoi sulmet e kolonëve izraelitë ndaj dërgesave të ndihmës të destinuara për Gazën, duke shtuar se autoritetet izraelite duhet t’i japin fund “dhunës“.