Franca: Dënojmë veprimet e njëanshme në veri, rrezik për përshkallëzim të tensioneve
Ministria e Jashtme e Francës ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës.
Pasi janë mbyllur disa njësi të Postës së Serbisë në veri të Kosovës dhe paralajmërimeve për hapjen e Urës së Ibrit, komuniteti ndërkombëtar ka pasur reagime të shumta.
Parisi zyrtar ka theksuar se veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës, rrezikojnë normalizimin e raporteve.
“Franca dënon ashpër përhapjen e veprimeve të njëanshme të autoriteteve kosovare në veri të vendit, të cilat ndikojnë në jetën e përditshme të komunitetit serb. Këto veprime rrezikojnë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, parakusht për realizimin e perspektivës evropiane të dy vendeve”, është thënë në reagimin e Francës.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Francës, në këtë formë, rrezikohet edhe përshkallëzimi i tensioneve të reja.
“Franca u bën thirrje autoriteteve kosovare që të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i njëanshëm, i cili do të përshkallëzonte më tej tensionet. Ai inkurajon të dyja palët që të kthehen në tryezën e negociatave, nën kujdesin e Bashkimit Evropian, në mënyrë që të bëjnë përparim në zbatimin e Marrëveshjes Bruksel-Ohër”, është thënë në reagim.
Për mbylljen e postës në veri si dhe për hapjen e Urës së Ibrit, komuniteti ndërkombëtar kanë dalë kundër.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të premten e kaluar se vendet e Quint-it dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë në këtë kohë.
Ai këtë qëndrim e kishte dhënë pas një takimi të përfaqësuesve të vendeve të Quint-it me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë. “Përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara, së bashku me ambasadorin e BE-së në Kosovë, u takuam sot me kryeministrin Kurti për ta njoftuar se qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin e tanishëm të urës së Mitrovicës në këtë kohë”, kishte thënë Hovenieri.
Me gjithë kundërshtimin e vendeve të Quint-it dhe NATO-s, Kurti ka thënë se “ura duhet të hapet”. Në këtë kontekst, autoritetet e Kosovës kanë filluar me testimin e urës kryesore mbi lumin Ibër për të parë nëse është e sigurt për kalim të mjeteve motorike.
Reagime kishte pasur edhe për aksionin ku janë mbyllur disa filiale të Postës së Serbisë në veri.
Bashkimi Evropian i ka thirrje Qeverisë së Kosovës që ta rishqyrtojë këtë vendim dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar në kuadër të dialogut me Serbinë.
Reagim i menjëhershëm kishte ardhur edhe nga Ambasada e Amerikës në Kosovë është deklaruar kundër mbylljes së nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës. Ambasada e ShBA-ja kishte tjeksuar se ky “veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar vë në rrezik qytetarët dhe ushtarët e KFOR-it”.