![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/tel.jpeg)
Franca dënon qytetarët të cilët flasin me zë të lartë në telefon
Mediat franceze raportojnë se një person në Francë u gjobit me 200 euro për shkak se fliste në telefon me zë të lartë.
Davidi si qytetar i këtij shteti po fliste me motrën në telefon në një stacion treni në Nantes, Francë, dhe e kishte vendosur thirrjen në altoparlant.
Më pas, një zyrtar i stacionit të trenit i kërkoi ta ulte zërin ose ndryshe do të gjobitej, shkruan “DailyMail”.
Edhe pse u paralajmërua se do të gjobitej me 150 euro, Davidi mendoi se zyrtari po bënte shaka. Ai ka refuzuar të paguajë gjobën aty për aty dhe ajo është “rritur” në 200 euro. Ai punësoi avokatë të cilët tani po përpiqen të kundërshtojnë pagesën e saj.
Në Francë, nuk ka asnjë ligj që ndalon të folurit në telefon përmes altoparlantit në vende publike. Megjithatë, ka rregulla shumë të qarta për kontrollin e zhurmës.
Ligji francez i trafikut lejon gjoba për ata që përdorin pajisje dhe instrumente për të prishur qetësinë e të tjerëve me zhurmë në hapësirat e përdorura për transportin publik. Për shembull, mund të gjobiteni me 60 euro në hekurudhat franceze edhe nëse flisni me zë të lartë në celular pa përdorur altoparlant. /Albinfo.ch