
Franca dhe Serbia, një aleancë historike që po shpërfill Kosovën nga tavolina diplomatike
Shkruan: Hisen Berisha
Takimet e shpeshta mes presidentit francez Emmanuel Macron dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, si ky i fundit ku u diskutua për Kosovën dhe Bosnjën, dëshmojnë një vazhdimësi të raporteve tradicionale franko-serbe, të cilat historikisht kanë pasur bazë të qëndrueshme në afërsinë kulturore, politike dhe ushtarake mes këtyre dy vendeve. Në këtë kontekst, Kosova, edhe pse formalisht e njohur nga Franca që nga viti 2008, vazhdon të trajtohet më shumë si “çështje” për t’u menaxhuar sesa si subjekt i barabartë ndërkombëtar.
Franca dhe Serbia kanë një histori të gjatë të aleancës, e cila rrënjët i ka që nga Lufta e Parë Botërore, ku francezët ndihmuan Serbinë në luftën kundër Perandorisë Austro-Hungareze. Në vitet e mëvonshme, kjo aleancë u trashëgua përmes bashkëpunimit të ndërsjellë arsimor, diplomatik dhe kulturor. Në diplomacinë franceze ekziston një sens historik i “borxhit moral” ndaj Serbisë, i cili shpesh ndikon në qasjen e butë të Parisit ndaj Beogradit, edhe kur ky i fundit shkel parimet themelore të rendit ndërkombëtar, përfshirë mosrespektimin e shtetësisë së Kosovës.
Deklarata e interpretuar e presidentit Macron se “edhe pse e kemi njohur Kosovën, qëndrimet tona me Serbinë po bëhen gjithnjë e më të ngjashme”, është sinjal shqetësues. Ajo jo vetëm që tregon një relativizim të njohjes së Kosovës, por edhe e përforcon pozicionin e Vuçiqit si bashkëbisedues të preferuar të Perëndimit për çështjet e rajonit. Kjo lëvizje bie në kundërshtim me premtimet e BE-së për neutralitet në dialog dhe me parimet e integritetit territorial të vendeve të pavarura.
Kjo tendencë nuk është e re. Kur Presidenti amerikan George W. Bush deklaroi në qershor të vitit 2007 se “mjaft është mjaft, Kosova do të jetë e pavarur”, sipas burimeve të akterëve që kanë qenë të ulur në tavolinën vendimmarrëse, u kërkuan gjashtë muaj për të bindur Francën që të pajtohej me këtë orientim strategjik. Kjo rezistencë franceze, edhe pse e tejkaluar formalisht me njohjen e Kosovës më 2008, ka lënë pas një prirje të zvarritjes dhe dykuptimësisë në qëndrimin e saj ndaj Kosovës.
Kosova është margjinalizuar në këto diskutime. Ajo nuk përmendet si palë e barabartë, por përmendet “për të zgjidhur një problem”, që i bie të jetë problemi i Serbisë me njohjen dhe humbjen e kontrollit mbi territorin që ka shpallur pavarësinë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Në vend të thellimit të bashkëpunimit me Kosovën si shtet partner, Franca zgjodhi që rolin e saj në dialog ta vendosë më afër qëndrimeve serbe për “zgjidhje kreative”, që në fakt nënkuptojnë më shumë koncesione për Beogradin sesa përparim për paqen.
Është indikative se ky takim mes Macron dhe Vuçiq po ndodh në Paris, ndërkohë që një delegacion ushtarak francez po viziton Komandën e KFOR-it në Kosovë, dhe trupat e KFOR-it/NATO-s po patrullojnë aktivisht përgjatë tërë vijës kufitare me Serbinë dhe jo vetëm. Kjo krijon një kontrast të dukshëm mes diskursit diplomatik në kryeqytetet e fuqive të mëdha dhe realitetit të sigurisë në terren, ku kërcënimi nga destabilizimi mbetet i gjallë dhe i organizuar. Në këtë kuptim, një qasje më e ekuilibruar ndaj Kosovës nuk është vetëm çështje e drejtësisë ndërkombëtare, por edhe e stabilitetit rajonal.
Këto zhvillime ndodhin në të njëjtën kohë kur Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, gjatë vizitës së tij në rajon, theksoi qartë se të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të shtyhen drejt integrimit në Bashkimin Evropian, si një garanci për paqen dhe orientimin euroatlantik të rajonit. Sipas tij, është interes strategjik i Rusisë që këto shtete dhe vetë rajoni të mbahen në tension të përhershëm, duke përfituar nga mungesa e konsensusit në BE dhe dualitetet në qëndrimet e disa vendeve anëtare.
Vlerësimi i tij për Serbinë e udhëhequr nga Vuçiq është i prerë: një shtet me karakteristika të një regjimi autoritar, i infiltruar nga eksponentë pro-rusë, që nuk e njeh Kosovën dhe vijon ta trajtojë si pjesë të territorit të vet, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe realitetin në terren. Lammy theksoi gjithashtu se Serbia nuk e njeh as gjenocidin në Bosnje, ndonëse ai është njohur si i tillë nga Gjykata Ndërkombëtare dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së, dhe vazhdon të mohojë edhe krimet e kryera në Kosovë.
Pikërisht në këtë kontekst ka rëndësi të veçantë edhe Rezoluta më e fundit e Parlamentit Evropian për Kosovën, e miratuar me shumicë dërmuese, e cila rithekson domosdoshmërinë që të gjitha shtetet anëtare të BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës. Rezoluta thekson qartë se mosnjohja nga pesë shtete të BE-së paraqet jo vetëm një padrejtësi ndaj Kosovës, por edhe një pengesë strategjike për sigurinë dhe konsistencën e politikës së jashtme të Unionit. Ajo kërkon intensifikim të përpjekjeve për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe bën thirrje që dialogu me Serbinë të mos përdoret si mjet për të relativizuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
Qeveria e Kosovës, diplomacia dhe elitat politike duhet të lexojnë drejt këtë realitet diplomatik. Kosova nuk mund të presë që njohja formale të kthehet automatikisht në mbështetje aktive. Duhet ofensivë diplomatike që i kujton Francës jo vetëm vendimin e vet për ta njohur Kosovën, por edhe përgjegjësinë për ta mbrojtur atë zgjedhje në arenën ndërkombëtare. Po ashtu, Kosova duhet të ndërtojë lidhje më të ngushta me aleatët që po flasin hapur për rrezikun rus në rajon dhe për prirjen autoritare të Serbisë, siç po e bën Britania e Madhe. Pa këtë, çdo dialog ndërmjet Vuçiqit dhe Macronit që përmend Kosovën, por nuk përfshin Kosovën si subjekt aktiv, është një rrezik për interesin strategjik të Republikës së Kosovës.