Franca, dje, numrin më të lartë të viktimave nga Covidi që nga 15 prilli
Të martën Franca i regjistroi 854 viktima të koronavirusit për 24 orë, që ishte shifra më e lartë që nga 15 prilli. Sidoqoftë, numri ditor i infektimeve ishte dukshëm më i ulët se rekordi prej 52 518 rasteve pasi në 24 orët e kaluara u regjistruan 36 330 infektime të reja.
Autoritetet franceze kanë vendosur masa izoluese kombëtare nga e premtja në përpjekje për ta luftuar përhapjen e virusit. Megjithatë, zakonisht nevojiten dy javë që masat të sjellin ndonjë efekt.
Në përgjithësi, Franca deri më tani ka regjistruar mbi 1.5 milion të infektuar, që është një ndër shifrat më të mëdha në Evropë dhe në botë, si dhe 38 289 viktima që, gjithashtu, është në mesin e shifrave më të larta në Evropë.
Numri i personave të shtrirë në spitale është 26 265, që është shifër pothuajse gjashtë herë më e madhe në krahasim me fundin e gushtit, kur në spitale ishin vetëm 4 530 të infektuar me koronavirus.