Franca do t’i përkrah institucionet e Kosovës në fushën e ekonomisë
Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka pritur të mërkurën në takim një delegacion francez të kryesuar nga drejtoresha për Evropën Kontinentale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës Florence Mangin.
Hamza dhe Mangin kanë diskutuar në lidhje me zhvillimet në fushën financiare si dhe për ndihmën e ofruar nga shteti francez për Kosovën.
Ministri Hamza e ka njoftuar drejtoreshën Mangin për ecuritë buxhetore dhe stabilitetin makrofiskal si dhe e falënderoi për përkushtimin e Qeverisë franceze ndaj Kosovës për ndihmën në projekte zhvillimore që përmirësojnë mirëqenien dhe jetën e qytetarëve të saj.
Ndërsa drejtoresha për Evropën Kontinentale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, Florence Mangin e ka falënderuar ministrin Hamza për pritjen dhe ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e përkrahjes së shtetit francez ndaj institucioneve të Kosovës, si për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe politik ndërmjet dy vendeve.
/Epoka e re/