Franca do t’i vendosë në rrugë 40 mijë policë mes frikës për trazira më të dhunshme
Të paktën 40 mijë oficerë policie janë vendosur në të gjithë Francën për t’u marrë me protestat e shkaktuara nga vrasja e një 17-vjeçari nga policia.
Ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin, ka bërë me dije se sonte do të mobilizohen 40 mijë oficerë në të gjithë Francën.
“Dje, vetëm 9 000 u vendosën. Megjithatë, gjendja e jashtëzakonshme nuk pritet të shpallet”, ka thënë ai.
Adoleshenti, i quajtur Nahel M është qëlluar në distancë, pasi ai ka refuzuar të ndalej me veturë në një pikë kontrolli dhe u largua.
Të paktën 180 persona janë arrestuar pas një nate të dytë trazirash, ndërsa 170 oficerë u plagosën, ka thënë ministri i Brendshëm francez, raporton “BBC”.
Në Nanterre, ku është qëlluar Naheli, po zhvillohet një marshim i organizuar nga nëna e adoleshentit në kujtim të tij.
Oficeri i policisë që ka qëlluar adoleshentin është vënë nën hetim zyrtar për vrasje me dashje.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka mbajtur një takim krize dhe e ka dënuar dhunën në rrugë.