“Franca e brengosur me përpjekjet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale”
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka takuar ambasadorin e Francës në Kosovë, Dider Chabert.
Pacolli përmes një statusi në profilin e vet në “Facebook” ka treguar se ambasadori ka shprehur brengën e Francës për lëvizjet e brendshme në Kosovë gjatë ditëve të fundit rreth tentimit për shfuqizimin e Speciales.
“Në fund të këtij takimi, Ambasadori Chabert shprehu edhe brengën e Francës si shtet mik, partner dhe mbështetës i fuqishëm i Kosovës për lëvizjet e brendshme në Republikën e Kosovës gjatë ditëve të fundit”, ka shkruar Pacolli.
Ky është statusi i plotë i Pacollit:
Gjatë ditës, ndër takimet e shumta zhvillova një takim të ngrohtë dhe miqësor me Ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert. Diskutuam mbi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, bashkëpunimin e ngushtë në fushën e njohjeve të Kosovës, në zona të ndryshme gjeografike ku Franca ka ndikim të veçantë dhe mbarëvatjen e përgatitjeve për 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Vlerësova kontributin e Francës në gjitha proceset më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës dhe e njoftova mysafirin me pikëpamjet e mia për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, të cilat u vlerësuan mjaft nga bashkëbiseduesi.
Numri një i diplomacisë franceze në Kosovë, më informoi me vullnetin e palëkundur dhe përkushtimin konsistent të vendit të tij dhe të Perëndimit në përgjithësi, për ta mbështetur Kosovën edhe në këtë fazë të zhvillimit të saj.
Në frymën e kësaj, ai më dorëzoi, gjithashtu një letër të ministres franceze për Çështje Europiane, Nathalie Loiseau, e cila më kishte falënderuar për takimin konstruktiv, që kishim gjatë vizitës time në Paris dhe për shkëmbimin e hapur të pikëpamjeve në kuadër të këtij takimi. Në përgjigje të ftesës time, ministrja Loiseau shprehte, gjithashtu dëshirën e delegacionit francez për të marrë pjesë në festimet e dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Në fund të këtij takimi, Ambasadori Chabert shprehu edhe brengën e Francës si shtet mik, partner dhe mbështetës i fuqishëm i Kosovës për lëvizjet e brendshme në Republikën e Kosovës gjatë ditëve të fundit.