Franca e Kosova do ta thellojnë bashkëpunimi në fushën e sigurisë
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, ka pritur të hënën në takim një delegacion të lartë të shtetit francez në krye me ambasadorin Didier Chabert.
Me këtë rast, ministri Berisha ka falënderuar ambasadorin Chabert për mbështetjen dhe përkrahjen që shteti i Francës ka ofruar për Kosovën në shumë fusha si: politikë, siguri, etj., duke filluar që nga kontributi i Francës në kuadër të KFOR-it, kontributi në administratë e në fusha tjera.
Ministri Berisha gjithashtu e ka njoftuar diplomatin francez mbi zhvillimet në sektorin e sigurisë në Kosovë, integrimin e komunitetit joshumicë, si dhe për planet për të ardhmen.
Nga ana e tij, ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, ka përgëzuar ministrin për të arriturat dhe për kultivimin e një bashkëpunimi të vazhdueshëm ndërmjet dy vendeve.
Ambasadori e ka njoftuar ministrin Berisha me emërimin e atasheut të Mbrojtjes dhe akreditimin e tij për Kosovë, kolonel Fabrice Duda, si dhe ka paralajmëruar intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë.
Ambasadori Chabert gjithashtu ka paralajmëruar vizitën zyrtare në MFSK të Sekretares së shtetit pranë Ministrisë së Armatave në Qeverinë e Francës që do të zhvillohet së shpejti, vizitë kjo që pason vizitën e ministrit Berisha në Francë në vitin e kaluar.
/Epoka e re/