Franca është gati ta çojë BE-në në prag të kolapsit
Burimi: The Daily Telegraph
Është test i tmerrshëm, moment epik i së vërtetës që kërcënon të hedh në erë BE-në, të shkaktojë një tjetër krizë të Eurozonës dhe, vetëm tre ditë pas marrjes së Kryeministrisë, të rrënojë planet e emigracionit dhe të tregtisë të Sër Keir Starmerit. Brenda dy javëve, Franca ose do të zgjedh qeverinë populiste më radikale të krahut të djathtë – që ka kontrolluar ndonjëherë një fuqi bërthamore – ose do të zgjedh një koalicion të shfrenuar antikapitalist dhe antiperëndimor të së majtës ekstreme, ose do të dëshmojë se është krejtësisht e paqeverisshme.
Qendra nuk do ta mbajë frontin. Në rastin më ekstrem, presidenti Emmanuel Macron madje mund të japë dorëheqjen. Kaosi mund të errësojë Olimpiadën. Kam frikë për Francën të cilën e dua, por mbi të gjitha jam i zemëruar për dekadat e dështimit të një klase sunduese arrogante, pseudomeritokrate, tepër karteziane në urrejtjen ndaj liberalizmit klasik dhe përbuzjen ndaj vlerave konservatore të cilat po e detyrojnë vendin për zgjedhje kaq të papëlqyeshme.
Ndikimi i zgjedhjeve do të jetë shpërthyes. Macroni ka lënë si trashëgimi një deficit buxhetor prej 5.5 për qind të PBB-së dhe borxh kombëtar me 110 për qind të PBB-së. Këto tashmë kanë çuar në uljen e vlerësimit të kredisë së vendit dhe nisjen e një hetimi nga BE-ja për shkeljen e paktit të stabilitetit dhe të rritjes. Bonot e obligacioneve franceze po lëvizin në pritje të fiksimit drastik fiskal nga kushdo që fiton zgjedhjet, duke çuar potencialisht në krizë të plotë financiare.
Fronti Popullor – aleanca e mjerë e së majtës ekstreme, socialistëve, komunistëve, të gjelbërve dhe të lëçiturve të ndryshëm – kërkon rritje të menjëhershme të taksave prej 50 miliardë eurove në vit dhe të paktën 106 miliardë euro shtesë në vit për shpenzimet. Dëshiron të rrisë tatimin mbi të ardhurat, të rifusë taksën ndëshkuese mbi pasurinë, trashëgiminë, të rrisë pagën minimale në 1600 euro në muaj pas tatimit dhe pagën e punonjësve të sektorit publik me 10 përqind, të anulojë reformat e pakta pozitive të Macronit dhe të shkurtojë daljen në pension deri në moshën 62-vjeçare. Do të prezantojë vetidentifikimin gjinor, do të liberalizojë emigracionin, do të vendosë embargo ndaj shitjes së armëve në Izrael dhe do të mbështesë çështjet skandaloze gjyqësore ndërkombëtare kundër shtetit hebraik. Manifesti nuk është veçse i sëmurë nga zgjimi [woke] dhe izraelofobia, por do ta falimentonte Francën, e megjithatë Fronti Popullor qëndron me 25 përqind në sondazhe.
Duke supozuar se nuk do të përfundojnë me Parlament të shumicës, mbetet e mundshme qeveria e Tubimit Kombëtar (RN) e udhëhequr nga Jordan Bardella – nga zëvendësësi i Marine Le Penit. Është e pamundur të mos ekzagjerohet shkalla e tronditjes psikologjike që do të shkaktojë fitorja Le Pen/Bardella. Do të tmerrohen vlera dhe e mira globale. Do të tërbohen një pjesë e shoqërisë franceze, përfshirë shumë nga ata në lagjet e varfra dhe nga sindikatat.
Mund të ketë çrregullime të përhapura, dhunë, plaçkitje dhe greva, duke çuar në ballafaqimin më të rrezikshëm që nga viti 1968. Disa funksionarë do të refuzojnë bashkëpunimin. Tregjet financiare do të futen në panik. FMN-ja, Banka Botërore dhe Shtëpia e Bardhë do t’i urrejnë taksat e Bardellas përkitazi me energjinë e gjelbër. Me lëvizjet populiste, do të ulte TVSh-në në 5.5 përqind nga 20 përqind për gazin, energjinë dhe karburantin, me vlerë prej 17-24 miliardë euro në vit, ndërsa do të shkurtojë kontributet në BE me dy miliardë euro. Por, deficiti do të rritej dhe – ndryshe nga axhenda e ofertës së Liz Trussit – nuk do të ketë storje afatgjatë pozitive pro rritjes së ndërmarrjeve, pasi RN-ja është gjysmë socialiste.
Banka Qendrore Evropiane mund të refuzojë të blejë bonot franceze për të stabilizuar tregjet. Qëllimi do të ishte poshtërimi i Bardellas dhe përfundimi i aspiratave presidenciale të Le Penit, por BE-ja mund ta ketë më të vështirë të mposht Francën sesa të kontrollojë Italinë dhe Greqinë. Franca është në zemër të sistemit të BE-së dhe do të mbështetej nga Giorgia Meloni e Italisë. Bardella dhe kundër-elitat e tij mund të luftojnë me sukses, duke kërcënuar se do të ndalojnë fondet e BE-së ose do të shkaktojnë trazira në mënyra të tjera nëse nuk e arrijnë qëllimin.
Bardella dëshiron të dëbojë kriminelët e huaj, të heq përfitimet që u paguhen prindërve të delikuentëve dhe t’i japë fund praktikës sipas së cilës të lindurit nga prindërit e huaj, në Francë, kanë të drejtën e nënshtetësisë franceze. Por, realiteti është se axhenda më e gjerë e RN-së është e papajtueshme me anëtarësimin në BE. Përfundimisht kërkon referendum për imigracionin, gjë që do të zvogëlonte numrat dhe do të refuzonte shumicën e rregullave të pasluftës për këtë temë. Le Peni dhe Bardella nuk thonë më se duan të largohen nga BE-ja: klasa e mesme ka frikë nga zhvlerësimi i kursimeve të tyre, nëse franga rifutet. Por, nëse nuk shpërthen në javët e tij të para, ai në mënyrë të fshehtë do të fillojë një proces gradual të Frexit-it [daljes së Francës nga BE-ja].
Brexit-erët britanikë duhet të kujtojnë se RN-ja dikur quhej Fronti Kombëtar. Arkëtari i parë i saj ishte Pierre Bousquet, ish-ushtarak nazist [në Divizionin Waffen-SS Charlemagne]. Jean-Marie Le Pen, i cili e drejtoi partinë nga viti 1972 e deri më 2011, i trajtoi dhomat e gazit nazist si “detaj”. Partia ishte raciste, antisemite dhe vishiste [kolaboracionaliste] – magnet për skinhedët dhe banditët. Ishte anti-Golist dhe kundër tregut të lirë, i fiksuar për të nënvlerësuar bashkëpunimin e neveritshëm të mareshalit Philippe Pétain me nazistët – momentin më të turpshëm i Francës.
Por, që atëherë, partia ka ndryshuar në mënyrë dramatike, siç e ka pranuar edhe Macroni; ne vetëm mund të shpresojmë se transformimi është i vërtetë. Le Pen seniori u largua nga vajza e tij Marine. Ajo e ka refuzuar petenizmin dhe tani është pro-izraelite dhe flet kundër antisemitizmit. Është kthyer me vonesë kundër Putinit. Partia e re e Eric Zemmourit tani e kalon RN-në për nga djathtizmi. Bardella është nipi i emigrantëve italianë dhe algjerianë.
Burrat dhe gratë tani kanë mundësi të barabarta për të votuar RN-në dhe 26 përqind e 18-24-vjeçarëve i mbështetën ata në zgjedhjet evropiane. Serge Klarsfeld, i mbijetuar i Holokaustit dhe gjuetari i shquar i nazistëve të Francës – i cili në Peru e gjurmoi Klaus Barbien, kasapin e Gestapos të Lionit – tani thotë se do të mbështesë RN-në në raundin e dytë, sepse ka ndryshuar. Ai ka më shumë frikë nga e majta ekstreme. Së shpejti do të zbulojmë nëse ka të drejtë apo nëse është mashtruar.
Në afat të shkurtër, kaosi në Francë do të jetë i mirë për kredencialet centriste të Starmerit, megjithëse Londra me taksa të larta dhe ata që për shmangie të taksave jetojnë jashtë vendit, nuk do të përfitojnë nga ndonjë eksod i milionerëve francezë. Në terma afatgjatë, fitorja e RN-së do të ishte makth për Starmerin.
Nuk do të ketë asnjë marrëveshje për kalimet e La Manshit; numrat do të rriten pasi emigrantët ikin nga goditjet në Francë, ndërsa Britania e Madhe do të nis të duket si më e butë. Pikëpamjet pro-evropiane të Konventës së Starmerit do të dukeshin të vjetruara, teksa kontinenti zhvendoset nga e djathta duke inkurajuar opozitën konservatore ose reformuese. Pllakat tektonike po zhvendosen, dhe jo vetëm në Francë. /Telegrafi/